Malaj: Papunësia zbriti në 8,1%, niveli më i ulët historik në 30 vite

Nga D. V.
584 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi sot se viti 2025 shënoi një hap të rëndësishëm në konsolidimin ekonomik dhe fiskal të vendit, ndërsa rritja ekonomike llogaritet në nivelin 3,9%.

Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, Malaj u shpreh se rezultatet janë fryt i reformave të ndërmarra, të cilat kanë në themel garantimin e disiplinës makroekonomike dhe fiskale.

Sipas tij, projeksioni për periudhën afatmesme është 4%, nivel ky më i lartë se mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor, e cila parashikohet në 3%.

“Në pesë vitet e fundit, PBB e ekonomisë shqiptare është rritur me rreth 20%, shifër që, sipas ministrit, është ndër më të lartat në rajon dhe dëshmon qëndrueshmërinë e ekonomisë”, shtoi Malaj.

Malaj theksoi se papunësia ka zbritur në 8,1%, niveli më i ulët historik në 30 vitet e fundit, nga 17% që ishte një dekadë më parë. Kjo normë mbetet më e ulët se mesatarja e Ballkanit Perëndimor prej 10,3%.

Sa i përket pagave, ai nënvizoi se paga minimale është rritur mesatarisht me rreth 10% krahasuar me vitin 2024. Aktualisht, paga mesatare në sektorin publik është 1,026 euro, ndërsa në sektorin privat 785 euro.

“Përmes buxhetit 2026 vijoi politika e rritjes së pagave, duke e çuar pagën minimale nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë në shkallë vendi. Për herë të parë ka nisur edhe zbatimi i skemës së indeksimit të pagave në sektorin publik, me synim forcimin e fuqisë blerëse”, shpjegoi Malaj.

Ndërkohë, theksoi ai, borxhi publik për vitin 2025 ka zbritur në 53% të PBB-së, nga 54.2% një vit më parë.

Duke iu referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, Malaj informoi se investimet e huaja direkte për 9-mujorin 2025 arritën në 1.2 miliardë euro, niveli më i lartë historik për këtë periudhë, me rritje prej 51 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

“Gjatë pesë viteve të fundit, Shqipëria ka përthithur nivel më të lartë të investimeve të huaja direkte në raport me PBB-në, krahasuar edhe me mesataren e vendeve të Ballkanit Perëndimor”, deklaroi Malaj.

artikuj të ndërlidhura

error: Përmbajtja është e mbrojtur!!

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër