Shkup, 16 korrik Zhurnal.mk – Shoferët profesionistë nga Maqedonia e Veriut pritet që së shpejti të mos përballen më me pengesa në gjashtë shtete evropiane, pasi autoritetet janë drejt zgjidhjes së problemit që lidhet me qëndrimin e tyre në zonën Shengen.
Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, deklaroi se përmes bisedimeve dypalëshe po zgjidhet çështja e qëndrimit të shoferëve profesionistë në vendet e Shengenit.
Sipas tij, problemi tashmë është zgjidhur me Zvicrën, Kroacinë dhe Rumaninë, ndërsa marrëveshjet me Slloveninë, Austrinë dhe Gjermaninë janë në fazën përfundimtare. Në bazë të këtyre marrëveshjeve, shoferët do të pajisen me viza afatgjata pune, ndërsa për Greqinë dhe Bullgarinë, si vende fqinje, nuk priten pengesa për funksionimin e transportit.
Pse protestuan transportuesit?
Transportuesit, të përfaqësuar nga shoqata Makam-Trans dhe organizata të tjera të rajonit, kundërshtojnë zbatimin e Sistemit të ri të Hyrjes/Daljes të Bashkimit Evropian (EES), i cili llogarit në mënyrë strikte ditët e qëndrimit në zonën Shengen.
Sipas tyre, ky sistem do të kufizojë punën e shoferëve profesionistë në rreth 15 ditë në muaj brenda zonës Shengen, duke i trajtuar ata si turistë dhe jo si punëtorë.
Transportuesit theksojnë se nuk kërkojnë trajtim të privilegjuar, por vetëm që statusi i tyre të njihet si punonjës profesionalë.
Ata paralajmërojnë se, nëse rregullat zbatohen pa ndryshime, pasojat do të jenë të rënda jo vetëm për ekonominë e Maqedonisë së Veriut, por për të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke rrezikuar funksionimin normal të sektorit të transportit dhe logjistikës.
