Shkup, 28 shtator, Zhurnal.mk – Një kornizë rregullatore e parashikueshme, koordinimi më i mirë institucional dhe ndërlidhja e rregullativës me qasjen në financim janë thelbësore që interesi investues për burimet e rinovueshme të energjisë të shndërrohet në projekte konkrete dhe të qëndrueshme.
Ky ishte një nga mesazhet kryesore të Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Lëndëve të Para Minerale në forumin “Menaxhimi i ndërtesave inteligjente dhe financimi i gjelbër për ajër më të pastër në Maqedoninë e Veriut”, i organizuar në kuadër të bashkëpunimit me UNECE dhe Ekipin e OKB-së në vend, me pjesëmarrjen e UNDP-së, IOM-it, BERZH-it dhe institucioneve të tjera partnere.
Forumi bashkoi përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizatave ndërkombëtare, sektorit financiar dhe atij të biznesit, si dhe komunitetit akademik, me fokus në zgjidhje praktike për avancimin e efikasitetit energjetik, investimet në burimet e rinovueshme të energjisë dhe financimin e gjelbër.
Në panel-diskutimin “Nga sfidat individuale drejt zgjidhjeve sistemore”, Violeta Nikollova, këshilltare e posaçme dhe drejtuese e Sektorit për Burimet e Rinovueshme të Energjisë, theksoi se në Maqedoni ekziston një interes i konsiderueshëm investues për BRE-të, ndërsa hapi i ardhshëm i rëndësishëm është krijimi i kushteve që ky interes të rezultojë në projekte realisht të zbatueshme.
“Kur të njëjtat sfida përsëriten në disa projekte, ato nuk janë më vetëm probleme individuale, por një sinjal se ku duhet të përmirësohet sistemi. Sfidat individuale duhet të shndërrohen në njohuri institucionale”, theksoi Nikollova.
