Agjencia e OKB-së për refugjatët (UNHCR) njoftoi se përshkallëzimi i luftimeve në Lindjen e Mesme ka shkaktuar zhvendosje masive të popullsisë. Mbi 330 mijë persona janë detyruar të largohen, kryesisht brenda vendeve të tyre.
Në kufirin mes Afganistanit dhe Pakistanit, mijëra familje janë larguar nga shtëpitë për shkak të përplasjeve.
UNHCR bëri thirrje për dialog dhe ulje të tensioneve pasi dhuna po shtohet.
Në Iran, që pret prej vitesh rreth 1.65 milionë të zhvendosur nga Afganistani, rreth 100 mijë persona u larguan nga Teherani në dy ditët e para pas sulmeve të Izraelit dhe SHBA-së. Megjithatë, nuk ka pasur rritje të madhe të lëvizjeve ndërkufitare.
Në Liban, mbi 84 mijë persona janë strehuar në rreth 400 qendra kolektive. Mbi 30 mijë persona, kryesisht sirianë, kanë kaluar në Siri që nga përshkallëzimi i situatës me Izraelin.
Situata në Afganistan dhe Pakistan mbetet e tensionuar. Rreth 115 mijë persona janë zhvendosur brenda Afganistanit dhe 3 mijë në Pakistan.
UNHCR kërkon që civilët që largohen ose kalojnë kufijtë të kenë mundësi të sigurt për të gjetur strehim.
