Shkup, 3 tetor Zhurnal.mk – Mbi 5 mijë euro paguajnë çiftet pa fëmijë për të siguruar një foshnjë të porsalindur, ndërsa në vend po zbulohet ekzistenca e një tregu të zi për shitblerjen e foshnjave, jashtë procedurave ligjore të birësimit, zbulon televizioni Telma.
Të paktën dy foshnja dyshohet se janë shitur kundrejt pagesës te çifte që nuk kanë fëmijë, ndërsa Prokuroria po heton edhe disa raste të tjera. Sipas raportimit, në vend ekziston një rrjet i paligjshëm i ndërmjetësimit për shitblerjen e foshnjave, në vend të procedurave të rregullta të birësimit.
Në këtë rrjet, si ndërmjetëse dyshohet se ka vepruar një kujdestare e fëmijëve pa përkujdesje prindërore, e cila dyshohet se ka luajtur rol në lidhjen e palëve të përfshira.
Në një storie hulumtuese të gazetares Biljana Nikolovska, televizioni Telma trajton edhe aktgjykimin e parë të shqiptuar në këtë rast, rolin e ndërmjetësueses, nënën që dyshohet se e ka shitur foshnjën e saj për 5 mijë euro, si dhe çiftin bashkëshortor që dyshohet se e ka blerë atë.
Rastet e zbuluara ngrenë shqetësime serioze për trafikimin e mundshëm të foshnjave dhe për shfrytëzimin e familjeve që dëshirojnë të bëhen prindër, ndërsa hetimet pritet të hedhin më shumë dritë mbi përmasat e këtij rrjeti të paligjshëm.
