Shkup, 24 tetor Zhurnal.mk – Më shumë se gjysma e gjykatave në Maqedoninë e Veriut kanë qenë joefikase gjatë vitit 2025, ndërsa sistemi gjyqësor përballet me mungesë serioze të kuadrit dhe mjete të kufizuara financiare. Këto të dhëna dalin nga raportet vjetore të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Buxhetor Gjyqësor për punën dhe shpenzimin e buxhetit gjyqësor.
Nga gjithsej 34 gjykata në vend, 18 kanë regjistruar rritje të numrit të lëndëve të pazgjidhura. Gjatë vitit 2025, gjykatat kanë pasur në punë 674.851 lëndë, prej të cilave kanë zgjidhur 540.241, ndërsa 134.610 kanë mbetur të pazgjidhura. Pritja më e gjatë është regjistruar në Gjykatën e Lartë Administrative, ku zgjidhja e një lënde ka zgjatur mesatarisht 325 ditë.
Situata është e rëndë edhe sa i përket mungesës së gjyqtarëve. Sipas raportit, janë plotësuar vetëm 65,41 për qind e vendeve të parapara për gjyqtarë. Nga 639 pozita të sistematizuara, në fund të vitit kanë qenë aktivë 418 gjyqtarë.
Mungesa e kuadrit është edhe më e theksuar në administratën gjyqësore. Janë plotësuar vetëm 37,95 për qind e vendeve të punës, përkatësisht 1.803 nga gjithsej 4.751 pozita të parapara.
Pavarësisht nevojës për punësime të reja, gjatë vitit 2025 nuk është realizuar asnjë punësim i rregullt në pushtetin gjyqësor. Ministria e Financave ka refuzuar kërkesat për kuadër të ri, përfshirë edhe propozimin për 239 vende pune të domosdoshme.
Raporti evidenton gjithashtu se nuk është përmbushur detyrimi ligjor për ndarjen e së paku 0,8 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për pushtetin gjyqësor. Buxheti gjyqësor, i miratuar fillimisht në vlerë prej 2,97 miliardë denarësh, më pas është ulur në 2,94 miliardë denarë.
Edhe pse 16 gjykata kanë arritur ta zvogëlojnë numrin e lëndëve të pazgjidhura, të dhënat e përgjithshme tregojnë se sistemi gjyqësor vazhdon të përballet me probleme serioze të efikasitetit, mungesës së stafit dhe financimit të pamjaftueshëm.
