MEPSO ndan 15 bursa për studentët: Latifi – Investojmë në dije sot, për një sektor energjetik më të fuqishëm nesër

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup, 09 nëntor, Zhurnal.mk – Operatori i Sistemit Elektrotransmetues të Maqedonisë së Veriut (MEPSO) do të ndajë 15 bursa për studentë për vitin akademik 2026/2027, me qëllim mbështetjen e arsimit të lartë dhe krijimin e kuadrove të reja për sektorin energjetik.

Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i MEPSO-s, Burim Latifi, sipas të cilit bursat do t’u ndahen studentëve nga pesë universitete dhe fakultete në vend, nga tri bursa për secilin institucion.

Bursat janë të dedikuara për studentët e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Universitetit “Goce Dellçev” në Shtip, Universitetit të Tetovës, Fakultetit Teknik në Manastir, si dhe Fakultetit të Elektroteknikës dhe Teknologjive të Informacionit në Shkup.

Secila bursë do të jetë në vlerë prej 12.000 denarësh në muaj, ndërsa sipas Latifit, qëllimi është që përmes kësaj mbështetjeje studentëve t’u krijohen kushte më të mira për zhvillimin e tyre akademik dhe profesional.

“Me një vlerë mujore prej 12.000 denarësh për secilën bursë, synojmë të ofrojmë mbështetje konkrete për studentët dhe të krijojmë kushte më të mira për zhvillimin e tyre akademik dhe profesional”, deklaroi Latifi.

Megjithatë, drejtori i MEPSO-s thekson se programi i bursave nuk synon vetëm mbështetjen financiare të studentëve.

Sipas tij, përmes këtij programi kompania dëshiron të identifikojë studentët më të mirë dhe më të motivuar, të investojë në potencialin e tyre dhe të krijojë mundësi që në të ardhmen ata t’i bashkohen ekipit të MEPSO-s.

“Dëshirojmë të identifikojmë studentët më të mirë dhe më të motivuar, të investojmë në potencialin e tyre dhe të krijojmë mundësi që në të ardhmen ata t’i bashkohen ekipit të MEPSO-s dhe të kontribuojnë në zhvillimin e sektorit energjetik”, tha Latifi.

Ai vlerëson se investimi në arsim dhe në gjeneratat e reja është një nga investimet më të sigurta për të ardhmen e sektorit energjetik.

“Besoj se investimi në dije dhe në gjeneratat e reja është investimi më i sigurt për të ardhmen. Investojmë në dije sot, për një sektor energjetik më të fuqishëm nesër!”, theksoi drejtori i MEPSO-s, Burim Latifi.

artikuj të ndërlidhura