Mexhiti: Arsimi dhe suksesi i të rinjve duhet të mbështetet dhe të vlerësohen

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 22 tetor Zhurnal.mk – Një shoqëri e tregon drejtimin e saj edhe përmes shembujve që zgjedh të vlerësojë, ka deklaruar kryetari i komunës së Çairit dhe bashkëkryetar i Vlen, Izet Mexhiti, duke marrë pjesë në manifestimin “Në gjurmët e më të mirëve”, të organizuar nga Forumi Rinor Islam, ku në qendër të vëmendjes ishin të rinjtë me arritje të dalluara në arsim.

Mexhiti tha se ishte kënaqësi të ishte pjesë e kësaj ngjarjeje dhe të shprehte mirënjohje për nxënësit dhe studentët që, përmes dijes dhe përkushtimit, po ndërtojnë të ardhmen e tyre.

Sipas tij, vlerësimi i të rinjve të suksesshëm përcjell një mesazh të rëndësishëm për brezat e ardhshëm se puna, përkushtimi dhe investimi në arsim kanë vlerë dhe meritojnë mbështetje.

Ai përgëzoi Forumin Rinor Islam për traditën e krijuar me manifestimin “Në gjurmët e më të mirëve” dhe për angazhimin që arritjet e të rinjve të marrin vëmendjen që meritojnë në shoqëri.

Mexhiti theksoi se përgjegjësia e përfaqësuesve politikë dhe institucioneve është të krijojnë kushte që të rinjtë të kenë mundësi të zhvillojnë aftësitë dhe ambiciet e tyre.

“Do të vazhdojmë ta mbështesim arsimin dhe të përkrahim nxënësit e studentët përmes mundësive që kemi dhe nismave që ndërmarrim. Përgjegjësia jonë është të krijojmë kushte që aftësia dhe ambicia e tyre të gjejnë hapësirë për t’u zhvilluar”, u shpreh Izet Mexhiti.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër