Shkup, 10 nëntor, Zhurnal.mk – Mbi 2 mijë punonjës shqiptarë në administratën publike në nivel qendror pritet të përfitojnë nga transformimi i kontratave të përkohshme në vendime të përhershme pune, në bazë të ligjit të ri. Këtë e bëri të ditur bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, në emisionin “Verdikt” në TVM 2.
Mexhiti tha se përllogaritjet përfundimtare ende nuk janë përmbyllur, por sipas të dhënave paraprake, rreth 6 mijë punonjës të administratës në nivel qendror janë aktualisht të angazhuar me kontrata pune.
“Prej tyre, mbi 2 mijë punonjës, të cilët nga kontratat e përkohshme do të marrin vendime të përhershme, janë shqiptarë, mos edhe më shumë”, deklaroi Mexhiti.
Ai vlerësoi se transformimi i kontratave do të ndikojë pozitivisht në sigurinë e punës për këta punonjës.
“Vlerësojmë se kjo është e shëndetshme për sigurinë e tyre në punë”, u shpreh Mexhiti.
