Qeveria pret që ekonomia e Maqedonisë edhe gjatë vitit 2026 të vazhdojë të rritet, me një rritje reale të BPV mes 3,5 dhe 4 për qind, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve gjatë promovimit të “Trenit të Qytetit”, Mickoski theksoi se këto pritje vijnë në kushte kur ekonomia e Bashkimit Evropian, partneri më i madh tregtar i vendit, rritet me një normë nën 1 për qind.
Ai rikujtoi se Maqedonia e mbylli vitin 2024 me rritje reale prej 3 për qind, ndërsa vitin 2025 me 3,5 për qind. Për këtë vit, përveç rritjes reale prej 3,5 deri në 4 për qind, Qeveria pret që rritja nominale e BPV të jetë rreth 8 për qind.
Mickoski shtoi se Qeveria ka detyrë të zgjidhë problemet e qytetarëve dhe paralajmëroi vazhdimin e realizimit të politikave dhe projekteve ekonomike.
