Mickoski: Reformat do të vazhdojnë pavarësisht bllokadave, jemi të përkushtuar ndaj agjendës evropiane

Nga I.A
1,276 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 17 korrik, Zhurnal.mk – Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se më 15 korrik Qeveria i ka dorëzuar Bashkimit Evropian një dokument me detyrimet e përmbushura, duke theksuar se kjo dëshmon përkushtimin e institucioneve ndaj procesit reformues dhe integrimit evropian.

“Më 15 korrik, Bashkimit Evropian iu dorëzua një dokument me detyrimet plotësisht të përmbushura dhe të shënuara, me çka edhe një herë treguam se procesin e reformave e udhëheqim me përgjegjësi, transparencë dhe me përkushtim të qartë ndaj përmbushjes së agjendës evropiane”, deklaroi Mickoski.

Ai u shpreh i bindur se vendi do të jetë përpara shumë shteteve të tjera në realizimin e reformave, pavarësisht pengesave politike.

“Jam i bindur se në dinamikën e realizimit do të jemi shumë përpara shumë të tjerëve, pavarësisht përpjekjeve që procesi të ngadalësohet përmes bllokimit të Kodit Zgjedhor. Përcaktimi ynë mbetet i pandryshuar – reformat do të vazhdojnë, sepse ato janë në interes të shtetit, institucioneve dhe qytetarëve”, tha kryeministri.

Mickoski bëri të ditur gjithashtu se gjatë ditës do të marrë pjesë në shënimin e përvjetorit të Komitetit Komunal të VMRO-DPMNE-së në Manastir, ndërsa në mbrëmje do të vizitojë manifestimin “Pivo Fest” në Prilep.

“Do të jem pjesë e atmosferës së ‘Pivo Fest’ në Prilep, ku do të kem mundësi të takohem dhe të bisedoj me një numër të madh qytetarësh. Vazhdojmë me përkushtim dhe ritëm të përshpejtuar për Maqedoninë”, përfundoi Mickoski.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër