Mickoski: Vizioni ynë është i qartë të ndërtojmë një shtet ku suksesi nuk varet nga privilegjet, por nga dija

Nga D. V.
797 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 3 korrik, Zhurnal.mk – “Vizioni ynë është i qartë të ndërtojmë një shtet në të cilin suksesi nuk do të varet nga privilegjet, por nga dijenia një shtet ku institucionet do të jenë në shërbim të ekonomisë; një shtet që do të njihet për inovacionet, për cilësinë e produkteve të veta, për punën e ndershme dhe për një ekonomi konkurruese; një shtet mjaftueshëm i fortë për t’i përballuar krizat dhe mjaftueshëm i mençur për të njohur mundësitë që ato sjellin. Jam i bindur se kemi dijeni, kemi kapacitet, kemi ekonomi që dëshiron të rritet dhe kemi njerëz që meritojnë një të ardhme më të mirë”, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski.

Duke folur në forumin për qëndrueshmëri dhe krijimin e bizneseve rezistente, të organizuar nga Oda Ekonomike, Mickoski theksoi se Qeveria do të vazhdojë t’u japë mbështetje të fuqishme kompanive dhe se mbetet partneri i tyre më i rëndësishëm.

Duke u ndalur te qëndrueshmëria, kryeministri theksoi se ajo nuk është më një detyrim administrativ i imponuar nga jashtë, por një mundësi zhvillimi.

“Prandaj, do të vazhdojmë t’i mbështesim kompanitë në transformimin e tyre të gjelbër dhe digjital, do të punojmë për qasje më të mirë në financa, për uljen e procedurave administrative, për përmirësimin e infrastrukturës, për rritjen e lidhjes me tregjet evropiane dhe për krijimin e kuadrit që mund t’u përgjigjet nevojave të industrisë moderne”, theksoi Mickoski.

Ai foli edhe për treguesit ekonomikë, duke nënvizuar se qëllimi i Qeverisë nuk është vetëm rritja më e lartë.

“Qëllimi ynë është rritje më cilësore, e bazuar në investime, inovacione, digjitalizim, arsim modern, teknologji të reja dhe kompani vendase që do të pushtojnë tregje të reja”, tha kryeministri.

Ai kujtoi se në vitin 2024 rritja nominale e pagave ishte 12,6 për qind, në vitin 2025 – 9,6 për qind, ndërsa edhe këtë vit pritet rritje mbi 8 për qind.

“Më e rëndësishmja është se pas një periudhe të gjatë kemi sërish rritje reale të të ardhurave. Pas rënies së pagave reale në vitin 2022 me 2,9 për qind, në vitin 2024 ato u rritën me 8,8 për qind, ndërsa në vitin 2025 me 5,3 për qind shtesë. Kjo do të thotë se rritja ekonomike nuk mbetet vetëm statistikë – ajo gradualisht po shndërrohet në standard më të mirë jetese për qytetarët. Njëkohësisht, kemi treguar se menaxhimi i përgjegjshëm i financave publike nuk është vetëm mesazh politik, por praktikë konkrete. Në periudhën e kaluar kemi shlyer 4,4 miliardë euro borxh publik, ndërsa deri në fund të këtij viti skadojnë edhe 983 milionë euro obligime që po ashtu do të përmbushen me kohë. Kjo dërgon një sinjal të fuqishëm te tregjet financiare, te investitorët dhe te institucionet ndërkombëtare se shteti është partner i sigurt dhe kredibil”, tha Mickoski.

Në forum marrin pjesë ministra, ambasadorë dhe përfaqësues të tjerë të lartë të huaj, si dhe biznesmenë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër