Vetëm pak ditë nga fillimi i Lojrave Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026, BBC i ka dedikuar një episod prej 30’ njërës prej katër sportistëve, të cilët do të përfaqësojnë vendin në këtë event, i cili vjen për publikun shqiptar nëpërmjet rrjetit të Radio Televizonit Shqiptar.
Në fokusin e podcast-it dedikuar shumëshportëshit, “More than the Score” në “BBC”, ishte skiatoria me famë botërore Lara Colturi, e cila edhe pse në moshë të re, ka arritur që të tërheqë vëmendjen e transmetuesit publik britanik falë paraqitjeve në Kupën e Botës së Skive.
“Colturi është vetëm 19-vjeç, por është njëra nga skiatoret më të mira në slalom falë katër podiumeve të marra në Botërorin e Skive. Ajo do të jetë pjesë e Lojrave Olimpike Dimërore Milano-Cortina dhe do të ketë mundësi që të shkruajë historinë për Shqipërinë në këtë format nëse arrin që të marrë medalje”, prezanton BBC, Lara Colturi-n.
Në episodin në fjalë për të folur për Lara Colturi-n ishin të ftuara ish-kampionia olimpike e Britanisë së Madhe, Chemmy Alcott, dhe Alesia Burnazi.
“E vlerësoj shumë Lara-n pasi konkuron në Botëror në një moshë të re. Pjekuria që ka treguar në nivele të tilla mendoj se rrëfen shumë për skiatoren dhe talentin e saj”, thotë Alcott.
Ndërsa Alesia Burnazi në fjalën e saj i shpjegoi prezantuesit të podcast-it, Ed Harry, impaktin që kishte Lara Colturin për historinë e sportit shqiptar në këtë disiplinë. “Shqipëria është një vend i vogël, me një traditë modeste në sportin e skive. Lara Colturi me talentin e saj është kthyer në një model për të rinjtë shqiptarë, të cilët një ditë aspirojnë që të kenë sukses në këtë disiplinë”, shpjegon Burnazi, e cila ka ndjekur nga afër Lara Colturi-n në Botërorin e Skive.
Në këtë episod të publikuar nga BBC rrëfehet edhe vetë Lara Colturi, e cila pranon se vetëm katër vite më parë i është dashur që të marrë një vendim të rëndësishëm pasi mund të vazhdonte karrierën e saj edhe në patinazhin artistik.
“Unë jam rritur në shtëpi me një kampione si Daniela Ceçarelli, e cila nuk është vetëm nëna ime, por është edhe trajnerja ime. Në moshë të re bëja ski për t’u argëtuar dhe që kur ishte 9-10 vjeçe të gjithë më thonin se do të bëhesha si Mikaela Shiffrin, por në atë kohë nuk mendoja shumë për këtë aspekt doja vetëm të argëtohesha. Katër vite më parë kam marrë një vendim shumë të rëndësishëm sa i përket karrierës sime pasi unë kam qenë mjaft e zonja edhe në patinazhin artistik. Në moshën 15-vjeçare vendosa që t’i dedikohesha plotësisht skive dhe konkretisht slalomit”, rrëfen Colturi.

