Ministri Ferati priti në takim kryetarin e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perendimore, Nuhi Aliu

Nga Xh M
840 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 24 korrik Zhurnal.mk – Ministri për Marrëdhenie ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati priti në takim kryetarin e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Nuhi Aliu me çka synon të shënojë fillimin e një modeli të ri bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe sektorit privat, i bazuar në dialog të vazhdueshëm, analiza profesionale dhe zgjidhje konkrete.

Vizioni i kësaj nisme është që bashkëjetesa dhe zhvillimi i qëndrueshëm të ndërtohen edhe përmes ekonomisë, duke garantuar mundësi të barabarta, qasje të drejtë në informata, trajtim të barabartë nga institucionet dhe përfshirje më të madhe të të gjitha bashkësive në proceset zhvillimore.

Në kuadër të këtij takimi, ministri Ferati propozoi nënshkrimin e Memorandumit për Bashkëpunim në formatin “25-25-25”, një model i thjeshtë, i matshëm dhe transparent, i cili synon ta shndërrojë komunikimin ndërmjet ministrisë dhe OEMVP-së në një proces të rregullt institucional.

Një rol kyç në zbatimin e këtij koncepti do të ketë Sektori për Analiza dhe Hulumtime, i cili do të analizojë pengesat administrative, ligjore, procedurale apo ndërinstitucionale me të cilat përballen bizneset, do të vlerësojë ndikimin e tyre mbi bashkësitë më të vogla dhe do të përgatisë rekomandime konkrete për ministrinë, Qeverinë dhe institucionet kompetente, duke krijuar një mekanizëm të qëndrueshëm raportimi dhe komunikimi me Odën.

Ministri theksoi se ky bashkëpunim nuk duhet të kufizohet vetëm në dialogun me bizneset shqiptare, por të shërbejë si një platformë gjithëpërfshirëse për fuqizimin ekonomik të të gjitha bashkësive në vend.

Përmes këtij modeli, ministria synon të identifikojë bashkësitë që kanë më pak qasje në informata, mundësi, kontakte institucionale dhe mbështetje zhvillimore, me qëllim krijimin e politikave publike më gjithëpërfshirëse dhe më efektive.

Siç u tha gjatë takimit, “Në zhvillim ekonomik nuk duhet të ketë bashkësi etnike të padukshme”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër