Shkup, 19 shtator – Nëpunësit shtetërorë duhet të jenë menaxherë të llojit të vet, të menaxhojnë mirë me ekipet e tyre, t’i zbatojnë vendimet qeveritare dhe të jenë shembull me sjelljen e tyre të përgjegjshme dhe të vetëdijshme, tha sot ambasadori francez Kristof Le Rigoler pas nënshkrimit të Memorandumit për Bashkëpunim me Ministrinë e Administratës Publike (MAP).
Sipas ministrit Minçev, Memorandumi është një hap para në zbatimin e reformave në administratën publike, profesionalizmin e saj, transparencën dhe efikasitetin e saj.
“Partneriteti me Francën e konfirmon vendosmërinë e Maqedonisë që të ndërtojë administratë bashkëkohore, profesionale dhe të besueshme e cila do të jetë nxitëse e zhvillimit, partnere e sigurt e qytetarëve dhe shtyllë e ambicieve tona evropiane”, theksoi Minçevi pas nënshkrimit, duke përkujtuar se Ministria me mbështetje franceze do ta zbatojë projektin për fuqizimin e kapaciteteve dhe profesionalizimin e administratës.

Projekti, theksoi, do të mundësojë vendosjen e akademisë për trajnim dhe përsosmëri profesionale të nëpunësve administrativë.
Franca, siç theksoi ambasadori, ka përvojë të madhe në fushën e administratës publike dhe veçanërisht nga aspekti i trajnimit të saj.
“Ky bashkëpunim nuk dëshiron aspak të vendosë sistem të tij ose model, por e kundërta – duam ta ndajmë përvojën tonë të plotë dhe të sqarojmë për gabimet të cilat i kemi bërë”, nënvizoi Le Rigoler, duke shtuar se edhe Franca për momentin gjendet në transformim më të thelluar të administratës publike.

Le Rigoler porositi edhe se transformimi i administratës publike është i rëndësishëm për transformimin e shoqërisë dhe integrimin e saj evropian.
“Përveç rëndësisë për integrim evropian, transformimi i administratës publike është i rëndësishëm edhe për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve, ndërsa administratë efikase nënkupton institucione efikase në shërbim të qytetarëve”, potencon ambasadori.