Misajllovski paralajmëron paga më të larta dhe marrëveshje të re kolektive për Armatën

Nga D. V.
1,022 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 25 qershor, Zhurnal.mk – Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, paralajmëroi fillimin e negociatave për një marrëveshje të re kolektive dhe rritje të pagave në Armatë, duke theksuar se Qeveria njëkohësisht po punon edhe për shlyerjen e detyrimeve financiare të trashëguara nga e kaluara.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje parlamentare në Kuvend, Misajllovski njoftoi se nga e hëna do të nisin bisedimet me sindikatat për një marrëveshje të re kolektive, ndërsa nga viti i ardhshëm parashikohet rritje e pagave dhe e vlerës së pikës për personelin ushtarak.
“Që nga e hëna do të ulemi me të gjitha sindikatat dhe do të diskutojmë për një marrëveshje të re kolektive. Nga viti i ardhshëm do të ketë rritje të pagave në Armatë, do të rritet vlera e pikës, ndërsa në vitet në vijim do të ketë edhe rritje përqindore në përputhje me mundësitë buxhetore”, deklaroi Misajllovski.
Ai theksoi se Ministria e Mbrojtjes vazhdon të përballet me obligime financiare të trashëguara nga e kaluara, veçanërisht si rezultat i proceseve gjyqësore.
“Çdo vit paguhen disa mijëra padi të trashëguara nga periudha e mëparshme”, tha ministri.

Duke iu referuar buxhetit, Misajllovski theksoi se me ribalancin aktual prioritet mbetet mbulimi i borxheve të vjetra, por paralelisht planifikohen edhe investime të reja për përmirësimin e kapaciteteve të Armatës.

Lidhur me vërejtjet e deputetes Sllavjanka Petrovska për shkurtimet në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe ngecjen në rritjen e pagës bazë, ministri u përgjigj se më herët ishte nënshkruar një marrëveshje kolektive pa u siguruar mjetet financiare të nevojshme për zbatimin e saj, gjë që sipas tij ka krijuar obligime shtesë për institucionin.

Misajllovski siguroi se marrëveshja e re kolektive do të jetë rezultat i dialogut me sindikatat dhe do të synojë përmirësimin e statusit dhe kushteve të punës së pjesëtarëve të Armatës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër