MSH: Nuk ka pasur gabim mjekësor në trajtimin e lehonës nga Strumica

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 24 shtator, Zhurnal.mk – Komisioni për mbikëqyrjen e punës profesionale, i formuar nga Ministri i Shëndetësisë, e përfundoi mbikëqyrjen mbi trajtimin e lehonës nga Strumica dhe njëzëri konstatoi se gjendja e saj neurologjike nuk është pasojë e anestezisë spinale të aplikuar gjatë lindjes, e as e ndonjë gabimi mjekësor në cilindo nga institucionet shëndetësore ku ajo ishte trajtuar, thuhet në njoftimine Ministrisë së Shëndetësisë.

Komisioni u formua më 19 gusht 2026, me propozim të Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, me qëllim të vlerësimit të pavarur profesional të punës së punonjësve shëndetësorë në ISHP Spitali i Përgjithshëm Strumicë, ISHP Spitali Klinik Shtip dhe ISHP Klinika Universitare e Neurologjisë – Shkup. Në të morën pjesë pesë ekspertë nga specialitete të ndryshme, dy prej të cilëve nga jashtë vendit: dr. Igor Samarxhijski, gjinekolog-obstetër, ISHP Klinika Universitare e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës – Shkup (kryetar); dr. Goran Rondoviq, anesteziolog, shef i Klinikës së Anesteziologjisë në Akademinë Mjekësore Ushtarake – Beograd; dr. Dejan Georgiev, neurolog, përgjegjës i Repartit të Neurologjisë në Qendrën Klinike Universitare – Lubjanë; dr. Miçun Miçunoviq, neurokirurg, ISHP Spitali Special “Shën Erazmo” Ohër; dhe dr. Dejan Daskallov, radiolog, ISHP Instituti Universitar i Radiologjisë – Shkup.

Komisioni shqyrtoi të gjithë dokumentacionin mjekësor nga të tre institucionet, incizimet e rezonancës magnetike dhe sqarimet shtesë të kërkuara nga spitalet. Secili anëtar u deklarua veçmas për fushën e tij të ekspertizës, ndërsa përfundimet u miratuan me pëlqimin e të gjithë anëtarëve.
Sipas konstatimeve të Komisionit, kujdesi gjatë shtatzënisë, referimi në Spitalin Klinik të Shtipit, lindja me prerje cezariane, anestezia dhe ndjekja pas operacionit janë realizuar në përputhje me protokollet në fuqi dhe praktikën e mirë klinike.Anestezia spinale është aplikuar në pjesën lumbale (të poshtme) të shtyllës kurrizore, me bar dhe dozë standarde, ndërsa ndryshimi në palcën kurrizore është konstatuar dukshëm më lart, në pjesën torakale.

Ecuria postoperative ka qenë e rregullt, pacientja është lëshuar nga spitali pa simptoma neurologjike, ndërsa ato janë shfaqur disa ditë më vonë.Sipas Komisionit, shkaku më i mundshëm është gjakderdhja spontane nga një malformacion i rrallë i enëve të gjakut në palcën kurrizore, i cili nuk mund të zbulohet me angiografi. Shkaku ende nuk është përcaktuar në mënyrë definitive”, thonë nga MSH.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër