Muçi është asistenti virtual i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, i cili do t’ju vijë në ndihmë të gjithë qytetarëve dhe bizneseve që kanë paqartësi me dokumentet tatimore, fermerët që duan autofaturë apo edhe detyrimet mbi tatim-fitimin.
I frymëzuar nga tatimori i Sarandës që i kërkonte Bardhës, një shitëse në tregun e qytetit bregdetar, faturë dhe etiketë për origjinën e rigonit që mblidhte në malë, Muçi virtual është konceptuar për të ndihmuar bizneset.
Tatimpaguesit mund t’i drejtohen me pyetje të veçanta, si: Kur përfitohet kompensimi 10% për TVSH? Çfarë dokumentacioni duhen dorëzuar nga fermerët? Si llogaritet detyrimi i ri për tatim mbi fitimin? Sa është detyrimi për fermerët që shesin me autofaturë?
“Përshëndetje! Unë jam Muçi, asistenti juaj për tatimet”, është mesazhi me të cilin asistenti virtual mirëpret përdoruesit.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve synon që përmes asistentit virtual, të krijohet një kanal më i drejtpërdrejtë komunikimi mes administratës dhe bizneseve. Muçi është një version i ngjashëm i Diellës, në portalin qeveritar e-Albania.
