Pas tri netëve të mbushura me muzikë, energji dhe mijëra vizitorë nga Kosova dhe vende të ndryshme të botës, “Sunny Hill Festival” ka përmbyllur me sukses një tjetër edicion në Prishtinë.
Festivali, i mbajtur nga 31 korriku deri më 2 gusht, solli në skenë disa prej emrave më të njohur të industrisë muzikore ndërkombëtare.
Nata e parë u kryesua nga superylli i muzikës pop Katy Perry, nata e dytë nga këngëtari skocez Lewis Capaldi, ndërsa mbrëmja finale kulmoi me performancën e DJ-it dhe producentit me famë botërore Martin Garrix.
Në skenat e festivalit performuan gjithashtu emra të njohur të muzikës elektronike si Adam Port dhe Rampa (Keinemusik), Carlita, Seth Troxler dhe PAWSA, krahas artistëve të njohur shqiptarë si Dhurata Dora, Ledri Vula, MC Kresha, Lyrical Son, Buta dhe të tjerë.
Nata finale dhuroi një atmosferë elektrizuese, me Martin Garrix që solli disa nga hitet e tij më të njohura, duke mbyllur festivalin me një spektakël të madh të dritave, efekteve vizuale dhe muzikës elektronike që mbajti publikun në këmbë deri në orët e vona.
Edicioni i sivjetmë konfirmoi edhe një herë “Sunny Hill Festival” si një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore në rajon, duke e shndërruar Prishtinën në një qendër të muzikës dhe argëtimit për tri net radhazi.
