Krishtlindja si shkas
Nga: Delvina KËRLUKU
Krishtlindja është një nga festat më të mëdha të krishterimit, por për shqiptarët ajo ka një kuptim
edhe më të gjerë: është dëshmi e një identiteti të lashtë, të shumëllojshëm dhe të pandarë.
Shqiptarët, si popull autokton i Ballkanit, nuk janë përcaktuar kurrë nga një fe e vetme. Katolikë,
ortodoksë dhe myslimanë, ata kanë bashkëjetuar ndër shekuj duke ndërtuar një kulturë tolerance
që i ka mbijetuar perandorive, pushtimeve dhe ideologjive përçarëse. Pikërisht kjo
shumëllojshmëri fetare është një nga shtyllat e shqiptarisë.
Në Maqedoni të Veriut, fatkeqësisht, vazhdon të mbizotërojë një narrativë e rreme dhe e
qëllimshme: shqiptari paraqitet vetëm si mysliman. Në diskursin zyrtar, në libra historie, në
media dhe shpesh edhe në qasjen institucionale, mohohet hapur ose në mënyrë të heshtur
ekzistenca e shqiptarëve katolikë dhe ortodoksë. Ky nuk është thjesht një keqkuptim, por një
strategji identitare që synon të barazojë fenë me kombësinë, duke e deformuar realitetin historik.
Sipas këtij këndvështrimi të gabuar, të qenit katolik apo ortodoks në Maqedoni do të thotë
automatikisht të mos jesh shqiptar, por maqedonas ose pjesë e një kombi tjetër sllav. Kështu,
shqiptarëve u mohohet e drejta për të qenë njëkohësisht shqiptarë dhe të krishterë. Ky mohimi
është i dyfishtë: nga njëra anë u mohohet identiteti fetar brenda kombit shqiptar, dhe nga ana
tjetër u mohohet identiteti kombëtar brenda krishterimit.
Historia, megjithatë, flet ndryshe. Shqiptarët katolikë dhe ortodoksë kanë qenë dhe janë pjesë
përbërëse e hapësirës shqiptare edhe në trojet që sot ndodhen brenda Maqedonisë së Veriut. Ata
kanë dhënë kontribut në arsim, kulturë, rezistencë kombëtare dhe në ruajtjen e gjuhës shqipe.
Mohimi i tyre nuk i zhduk faktet, por vetëm nxjerr në pah frikën nga e vërteta.
Figura e Nënë Terezës – Gonxhe Bojaxhiu – është shembulli më i fuqishëm dhe më domethënës i
këtij paradoksi. E lindur në Shkup, në një familje shqiptare katolike, ajo sot përvetësohet nga
shteti maqedonas, ndërkohë që vetë shqiptaria e saj vihet në dyshim ose relativizohet. Maqedonia
e pranon Nënë Terezën si figurë botërore vetëm duke ia zhveshur identitetin shqiptar, sikur ky
identitet të ishte i papranueshëm ose i padëshiruar.
Por Nënë Tereza e ka thënë vetë, qartë dhe pa ekuivoke:
“Me gjak jam shqiptare, me shtetësi indiane, me besim katolike, ndërsa me zemër i përkas gjithë
botës.”
Kjo fjali është një akt vetëidentifikimi që rrëzon çdo përpjekje për përvetësim. Ajo nuk lë vend
për interpretime politike apo historike të shtrembëruara.
Edhe më prekëse është poezia e saj “Për Shqipërinë time”, ku shprehet dhimbja, mallëngjimi dhe
dashuria për atdheun e saj. Një poezi e tillë nuk është thjesht shprehje nostalgjie, por një dëshmi
shpirtërore e përkatësisë. Ajo tregon se, pavarësisht se ku jetoi dhe shërbeu, rrënjët e saj ishin
shqiptare dhe të pandashme nga identiteti i saj.
Në këtë kontekst, Krishtlindja merr edhe një dimension tjetër: ajo bëhet simbol i rezistencës së të
vërtetës përballë mohimit. Shqiptarët katolikë dhe ortodoksë në Maqedoni, duke festuar
Krishtlindjen, nuk festojnë vetëm lindjen e Krishtit, por edhe të drejtën e tyre për të ekzistuar si
shqiptarë të plotë, pa u detyruar të zgjedhin mes fesë dhe kombit.
Mohimi i ekzistencës së shqiptarëve të krishterë nuk është vetëm një problem shqiptar, por është
një problem i vetë shoqërisë maqedonase, e cila duke mos pranuar realitetin multietnik dhe
multikonfesional, varfëron historinë dhe të tashmen e saj. Pranimi i së vërtetës nuk e dobëson
askënd – përkundrazi, e pasuron bashkëjetesën.
Le të jetë kjo Krishtlindje një thirrje për ndërgjegjësim, për njohje dhe për respekt. Shqiptarët
kanë qenë dhe do të jenë katolikë, ortodoksë dhe myslimanë, por mbi të gjitha shqiptarë. Kjo
është e vërteta që nuk mund të mohohet, sado që të tentohet të fshihet.
(Autorja ka qenë kryetarja e parë e shoqatës “Josif Bageri”)
