Në Liberi u sekuestrua kokainë me vlerë mbi 370 milionë dollarë, mes të arrestuarve edhe një person nga Serbia

Nga Xh M
605 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Liberia, 22 korrik Zhurnal.mk – Një sasi e madhe kokaine është sekuestruar gjatë një bastisjeje në një objekt që dyshohet se përdorej si depo e paligjshme pranë kryeqytetit të Liberisë, Monrovia, në atë që autoritetet e përshkruajnë si sekuestrimin më të madh të drogës në historinë e vendit. Janë arrestuar disa persona, ndërsa njëri prej tyre kishte pasaportë serbe, raporton N1.

Pamjet dhe fotografitë e publikuara nga policia tregojnë dhjetëra valixhe dhe kuti të vulosura në një kamion, për të cilat hetuesit besojnë se ishin të mbushura me kokainë të cilësisë së lartë.

Shefi i policisë, Gregory Coleman, deklaroi se testet mjeko-ligjore konfirmuan se bëhej fjalë për kokainë, me një vlerë prej më shumë se 370 milionë dollarësh në tregun e paligjshëm.

Gjatë bastisjes në Duazon, rreth 20 kilometra në lindje të Monrovias, u arrestuan disa persona, përfshirë dy shtetas të huaj dhe disa qytetarë liberianë. Deri më tani nuk janë ngritur akuza zyrtare ndaj të arrestuarve.

Coleman tha se sekuestrimi i së martës është rezultat i një hetimi të gjatë mbi rrjetet e trafikut të drogës që veprojnë në Liberi.

“Midis viteve 2018 dhe 2023 kemi parë një rritje të trafikut të drogës përmes Liberisë. Gjatë një viti e gjysmë të fundit kemi ndjekur aktivitetet e tyre dhe ky është rezultati i atij operacioni,” tha Coleman.

Ai shtoi se droga është testuar dhe është konfirmuar se është kokainë, duke theksuar se ky është sekuestrimi më i madh i drogës në Liberi në vitet e fundit. Ende nuk dihet se nga kishte ardhur droga apo ku ishte planifikuar të dërgohej.

Coleman tha se policia po hetonte origjinën e ngarkesës kur dy të huajt mbërritën në Liberi dhe më pas u arrestuan. Ai konfirmoi se njëri prej tyre kishte dy pasaporta – spanjolle dhe kolumbiane – ndërsa tjetri kishte pasaportë serbe.

Operacioni në Duazon pasoi sekuestrimin e gjashtë kutive me ngarkesë në Aeroportin Ndërkombëtar Roberts muajin e kaluar, pasi shërbimet e sigurisë vunë re parregullsi gjatë kontrollit.

Ngarkesa, e cila ishte deklaruar në mënyrë të rreme si ushqime, erëza dhe tekstile, përmbante afro 200 pako të presuara kokaine të destinuara për eksport, thanë hetuesit.

Ndërkohë, janë ngritur akuza ndaj disa të dyshuarve, ndërsa po përgatiten urdhër-arreste ndërkombëtare për të tjerë që ndodhen në arrati.

Afrika Perëndimore prej kohësh konsiderohet si një nga rrugët kryesore tranzite për kokainën që trafikohet nga Amerika e Jugut drejt Evropës, duke shfrytëzuar kontrollet e dobëta kufitare dhe sistemet jo mjaftueshëm efektive të zbatimit të ligjit në disa pjesë të rajonit, shkruan BBC.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër