Në Shkup të mërkurën vazhdon aksioni i pastrimit, aktivitetet do të zhvillohen në mbi 50 lokacione

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 12 tetor Zhurnal.mk – Të mërkurën, në orën 11:00, do të vazhdojë aksioni për pastrimin e Shkupit, njoftoi kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.

Aksioni do të zhvillohet në më shumë se 50 lokacione, ku do të pastrohen parqet, rrugët, shtigjet për këmbësorë, hapësirat publike dhe zonat ndërmjet ndërtesave.

Gjorgjievski u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen aksionit. Në aktivitetet e pastrimit do të marrin pjesë sërish komunat, kryetarët e komunave, nxënësit dhe vullnetarët.

Ai theksoi se qëllimi është rritja e ndërgjegjësimit për ruajtjen e pastërtisë dhe nxitja e përgjegjësisë më të madhe ndaj mjedisit jetësor.

“Siç kemi paralajmëruar, këto aksione do të organizohen dy herë në muaj. Do të jemi këmbëngulës, do të mblidhemi sërish dhe do të ndërtojmë një traditë të bashkimit dhe përgjegjësisë. Suksesi i vërtetë do të arrihet kur kujdesi për pastërtinë të vazhdojë edhe ndërmjet dy aksioneve, çdo ditë dhe në çdo lagje”, theksoi Gjorgjievski.

Nga Qyteti i Shkupit informojnë se qytetarët për lokacionet e sakta dhe mënyrën e pjesëmarrjes në aksion duhet t’i drejtohen komunës së tyre.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër