Tenori kosovar me famë ndërkombëtare, Ramë Lahaj, do të nisë më 10 tetor turneun e tij ndërkombëtar “PASSION & ORIGIN”, me koncertin e parë që do të mbahet në Kongresshaus Zürich.
I shoqëruar nga ARMA Ensemble, Lahaj do të ngjitet në skenën e Kongresssaal në orën 20:00, për të sjellë një program muzikor që ndërthur këngët shqiptare me repertorin ndërkombëtar që ka shoqëruar rrugëtimin e tij artistik.
“PASSION & ORIGIN” vjen si një udhëtim përmes muzikës, ku Lahaj rikthehet te rrënjët e tij përmes këngës shqipe, ndërsa njëkohësisht sjell para publikut pjesë të njohura nga repertori ndërkombëtar.
Pas koncertit të parë në Zürich, turneu do të vazhdojë në qytete të tjera evropiane dhe përtej kontinentit. Lahaj do të performojë në Düsseldorf më 30 tetor, në Vjenë më 8 nëntor dhe më pas në Toronto më 13 dhjetor, ndërsa pritet që në vijim të bëhen të ditura edhe ndalesa të tjera.
Përmes këtij turneu, tenori kosovar synon të takohet me publikun shqiptar në diasporë, duke e sjellë këngën shqipe në skena ndërkombëtare dhe duke ndarë njëkohësisht me audiencën repertorin që ka shënuar karrierën e tij.
Koncerti në Zürich mbahet më 10 tetor 2026, në orën 20:00, në Kongresshaus Zürich – Kongresssaal. Biletat janë në dispozicion përmes Ticketmaster.
