Prishtinë, 8 shtator Zhurnal.mk – Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë nesër. Sipas njoftimit të Drejtorisë për Media dhe Marrëdhënie me Publikun të Kuvendit, vazhdimi i seancës është paraparë për orën 11:00, derisa në rend dite janë dy pika: Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës nisi më 6 gusht, kur deputetët e legjislaturës së 11-të dhanë betimin. Megjithatë, seanca u ndërpre pa përfunduar të gjitha pikat e rendit të ditës, pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kërkoi kohë për arritjen e një marrëveshjeje politike për çështjen e presidentit.
Deputetët u mblodhën sërish më 8 gusht, por edhe kjo seancë u ndërpre me kërkesën e Kurtit për vazhdimin e konsultimeve politike. Gjatë kësaj seance, Kurti u qëllua me vezë nga deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj.
Tash, deputetët duhet të zgjedhin kryetarin e Kuvendit dhe pesë nënkryetarët, në mënyrë që të përmbyllet konstituimi i legjislaturës së re. Konstituimi i Kuvendit i hap rrugë procesit të formimit të Qeverisë së re dhe, më pas, edhe procedurave për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Megjithatë, për zgjedhjen e presidentit aktualisht nuk janë siguruar votat e nevojshme. Marrëveshja politike ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për kandidatin konsensual, Bekim Sejdiu, nuk ka marrë mbështetjen e gjashtë deputetëve të LDK-së, të cilët kanë dalë kundër vendimit të Kryesisë së partisë./ RTK.
