Nis zgjerimi i Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë, projekt në vlerë mbi 5.7 milionë euro

Nga D. V.
662 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Sportit, Blerim Gashani, anëtarë tjerë të kabinetit qeveritar, kryetarin e Federatës së Xhudos, Agron Kuka, dhe kryemjeshtrin e xhudos, Driton Kuka, vunë gurthemelin e projektit në vlerë më shumë se 5.7 milionë euro për zgjerimin e Qendrës Nacionale të Xhudos, në Pejë.

“Sot, këtu në Pejë, në lagjen e kampionëve të botës, nuk po vendosim vetëm gurthemel. Sot, po vazhdojmë suksesin e xhudos së Kosovës”, theksoi kryeministri Kurti, duke shtuar se xhudoja është suksesi më i madh që Kosova ka ndërtuar si shtet në sport.

Kryeministri Kurti tha se një pjesë e rrugës drejt medaljeve olimpike në Paris 2024 është ndërtuar në këtë qendër, që ishte përuruar në shtator të vitit 2021.

“Me angazhimin e pandalshëm të Federatës së Xhudos për ta ngritur Kosovën edhe më lart, në kuadër të programit “Kosova, Shtet i Xhudos”, sot po nisim këtë investim të ri. Ky projekt, përfshin: palestër të re të xhudos me standarde ndërkombëtare; dhe, objekt multifunksional që përfshin akomodim, pishinë, sallë fitnesi dhe restorant”, tha kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti theksoi se investimet në kuadër të programit “Kosova, Shtet i Xhudos”, përfshirë këtë projekt në vlerë më shumë se 5.7 milionë euro, janë përgjigje ndaj sukseseve dhe rezultateve që xhudoja i ka sjellë Kosovës.

Në palestrën e re, në kuadër të Qendrës Nacionale të Xhudos do të zhvillohen edhe garat e sporteve luftarake në kuadër të Lojërave Mesdhetare 2030.

Kryetari i Federatës së Xhudos, Agron Kuka, falënderoi kryeministrin dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për këtë investim që u jep të rinjve mundësi për zhvillimin tyre dhe promovimin e vendit. Ndërsa, evokoi kujtime nga koha e okupimit kur në një palestër të vogël private nisi rrugëtimi i vështirë drejt lavdisë dhe medaljeve olimpike.

Krahas falënderimeve e mirënjohjes, kryemjeshtri i xhudos, trajneri Driton Kuka, drejtuar sportistëve tha se “shteti tash po investon shumë seriozisht në ju, e ju duhet t’ia ktheni me punë, përkushtim e rezultate”.

Me këtë rast, kryeministri Kurti përshëndeti sportistët nga Ukraina, të cilët po stërviten në Qendrën Nacionale të Xhudos në Pejë. Ata e falënderuan kryeministrin Kurti dhe Kosovën për mbështetjen dhe mikpritjen, duke thënë se po ndihen të sigurt dhe sikur në shtëpi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër