Një histori e bukur 29 vite para Kongresit të Manastirit

nga Redaksia

Nga Alba Malltezi

Kur shqiptarët e Stambollit krijuan “Shoqërinë e shkronjëzave shqipe” realizuan një ëndërr që kapërcente identitetet e tyre, prejardhjet, origjinat, përkatësitë fetare. Sepse ëndrrat e bukura lindin vetëm nga një identitet universal që i kapërcen të gjitha të bëra bashkë. Ata motivoheshin nga Dashuria për shqipen.

Kur realizohen gjërat e mëdha në jetën e një kombi, ëndrrat janë shfaqur shumë, shumë vite para se të realizohen. Për shembull, ndërsa u realizua Lidhja shqiptare e Prizrenit, ajo ishte e gjallë në shpirtin e gjithë shqiptarëve më parë. Ishte tamam viti i Lidhjes Shqiptare të Prizrenti kur, me 12 Tetor të 1879, pra 29 vite para Kongresit të Manastirit, siç shkruhet në dokumente të kohës që kemi në dorë“… Një pjesë e parisë shqiptare të Stambollit themelon “Shoqërinë e të shtypurit shkronjavet shqip, e njohur ndryshe si “Shoqëria e shkronjëzave”, krahu letrar dhe kulturor i Lëvizjes Kombëtare shqiptare të përfaqësuar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Nën kryesinë e Sami bej Frashërit dhe pjesëmarrjen e disa anëtarëve të Komitetit sekret të Stambollit si Abdyl bej Frashëri, Mehmet Ali bej Berati (Vrioni), Ferid Pashë Vlora, vezir i ardhshëm i Perandorisë, kjo shoqëri ku Gegëria dhe Toskëria ishin të përfaqësuar, i dha vetes për qëllim të përpilonte një alfabet kombëtar dhe të bënte çmos për hapjen e shkollave shqipe dhe botimin e shkollave shqip.
“Anëtarët themelues përfaqësonin jo vetëm familjet kryesore shqiptare të kohës, por gjeografikisht gjithë Shqipërinë. Myslimane, ortodokse, katolike, gjirokastritë, shkodranë, toskë, gegë… të gjithë ishin të përfaqësuar”, mësohet nga ky dokument i kohës. Shoqëria e Stambollit zgjodhi një palë shkronja dhe shtypi kanonizmën (rregulloren e saj) si dhe një abetare të shtypur në shtypshkronjën e A. Zelicit në Stamboll në tetor të 1979.

Shoqëria kishte për qëllim:

  1. Të botojë libra në gjuhën shqipe, sidomos libra shkollorë.
  2. Të përhapë diturinë ndër shqiptarë, pa dallim feje e krahine.
  3. Të punojë për bashkimin gjuhësor, duke përdorur një alfabet të njëtrajtshëm.
  4. Të ndihmojë hapjen e shkollave shqipe dhe furnizimin e tyre me libra.

Në fund të shkrimit do të japim dhe listën e shqiptarëve të impenjuar në këtë nismë dhe emrat e tyre flasin vetë se ëndrra që ata po realizonin ishte më e madhe se ata, më e madhe se krahina, qyteti, pozicioni që mbanin. Ishte më e madhe sidomos (nëse dikush sot nga padituria apo djallëzia dëshiron të bëjë kategorizime fetare) se feja që kishin. Sepse, në përgjithësi, gjërat e mira, mendimet e mira janë të motivuara nga një ndjenjë superiore Universale dhe përmbi të gjithë. Këto nisma historike që lënë gjurmë dhe përmirësojnë një komb, motivohen nga Dashuria.
Ndërkohë, imagjinoni pak në Stambollin e 1879, në një kohë vjeshte, një grup i madh, sekret, shqiptarësh që jetonin, punonin, krijonin nën Perendorinë Otomane, nuk flisnin e “komplotonin” për “tendera”, “qypa me florinj”… por për Abetaren.
“Kjo Abetare, prej 136 faqesh u punua prej Jani Vretos, Sami bej Frashërit, Pashko Vasës, Koto Hoxhit dhe Anastas Kostandin Frashërit. Siç shkruhej në kujtimet e Mit-hat bej Frashërit, qeveria turke nuk kishte dhënë leje për mbledhje të tilla, ndaj dhe tubimet e shoqërisë si dhe botimi i abetares bëhej në ilegalitet dhe në rrezik për ta.
Shoqëria i filloi punimet në një moment kur Kristoforidhi, de Rada, kleri katolik shkodran, kishin dhënë shembujt e parë të lëvrimit të shqipes moderne. Sipas dëshmive të Mit’hat Frashërit, gjuhëtarët e shoqërisë mblidheshin më shpesh në shtëpinë e Pashko Vasës, për të përpunuar abetaren. Jani Vreto udhëtoi disa herë në Egjipt me shpresë që të themelonte një degë të shoqërisë edhe atje, ku gjeti bashkëpunimin e kushërinjve Thimi Mitko dhe Thimi Marko. Këtu daton lindja e klubeve “Bashkimi” të cilët do të përpunojnë një alfabet të tyrin që bashkë me të ashtuquajturin alfabet “Frashëri” do të ndikonin fuqishëm në Kongresin e Manastirit në vitin 1908.
Në alfabetin e Stambollit u shtypën për herë të parë të gjithë shkrimet e Naim Bej Frashërit dhe me financimet e shoqërisë u krijuan shoqëritë e mësimit shqip të Korçës, që arritën të hapin shkollën e parë shqipe në 1887.

Cilët ishin shqiptarët që themeluan Shoqërinë e Shkronjëzave?

  1. Ferid Vlora
  2. Mehmet Ali Vrioni
  3. Vejsel Dino
  4. Ibrahim Dino
  5. Abdyl Frashëri
  6. Sami Frashëri
  7. Mustafa Janina
  8. Sejfulla Zavalani
  9. Ahmet Shefki Gjirokastriti
  10. Ibrahim Starova
  11. Pashko Vasa
  12. Noç Xuxi
  13. Nikole Bonati
  14. Gjon Bonati
  15. Koto Hoxhi
  16. Koto Sotiri
  17. Pandeli Sotiri
  18. Nano Petri Saraniqinishtasi
  19. Nikole Stavro Vasua Qestorastasi
  20. Anastas Kostandin Frashëri
  21. Vasili i P. Ndrekos Postenanasi
  22. Danil i D. Adamit Oparaku
  23. Mihali i A. Plumbit Përmetasi
  24. Kostandini i N. Haxopulit Isgarasit
  25. Vasili i Vangjel Delvinasit
  26. Haralambi i P. PulesitasitDelvinasit
  27. Janço Kosta Ogrenasi
  28. Joan Vretua Postenanasi

Disa emra janë shumë të njohur si Rilindas, të tjerë janë të panjohur, por puna dhe shpirti i tyre ka lënë shenjë të pashlyeshme në atë që ne jemi sot, ose më saktë, në pjesën më të bukur dhe më të mirë që ne kemi sot: Gjuhën tonë.
Ja çfarë shkruanin dhe mendonin ata, atëherë, në tetorin e 1879, 29 vite para se të ndodhte unifikimi i Alfabetit Shqip në Kongresin e Manastirit.

PROKLAMATA E KANONIZMES

“Gjithe sa kombe jane te ndrituare dhe te qyteteruare jane ndrituare dhe qyteteruare prej skronjas nde gjuhet te veta. Edhe çdo komb qe nuk ka shkruar gjuhen e vet, edhe ska shkronja nde gjuhet te vet eshte nde t’erret dhe barbar. Edhe shqiptaret tue mos shkruare gjuhen e tyre dhe tu me mos pasur shkronja nde gjuhet te tyre, keshtu gjenden edhe pa ndihma e shpresa ketu e tri mije vjet perpara (sa qe mund te njihet historia) qe te ndriçoheshin dhe te qyteteroheshine me gjuhet te fqinjet e te huajet u deftue e kote, edhe trimeria e te mirate, qe kane duart tona ne prej shokesh, qe dukemi shkruare ne fund secili me doret te vet. Edhe nuk e kena, as duame, ndonje prej ma teper se shoket e tjere, qe kane me u ba pas nesh, po i lutemi Zotit te jetese, te veje mbare shoqeria jone, Shoqeria e te shtypurit Shkronja shqyp”

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More