Një person ka humbur jetën, ndërsa disa të tjerë kanë mbetur të lënduar në katër aksidente trafiku të regjistruara më 17 tetor në Maqedoninë e Veriut.
Siç njofton Ministria e Punëve të Brendshme, në fshatin Banjicë e Poshtme të Gostivarit, një 59-vjeçar ka humbur jetën pasi vetura “Opel” që drejtonte doli nga rruga dhe u përplas në një mur betoni. Vdekja e tij u konstatua nga mjeku kujdestar, ndërsa me urdhër të prokurorit publik, trupi është dërguar për obduksion.
Në një tjetër aksident, në fshatin Opajë të Komunës së Likovës, një 18-vjeçare që drejtonte një veturë “Audi” doli nga rruga dhe u përplas në një konstruksion metalik. Bashkudhëtarja e saj, gjithashtu 18-vjeçare, pësoi lëndime të rënda trupore.
Ndërkohë, në fshatin Orizarë të Likovës, një veturë “BMW” goditi një këmbësor 67-vjeçar, i cili pësoi lëndime të rënda dhe u dërgua për trajtim në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” në Shkup.
Një tjetër aksident ndodhi në bulevardin “Goce Dellçev” në Strumicë, ku u përplasën një veturë “Hyundai” dhe një automjet transportues “Nissan”. Në aksident, lëndime të rënda trupore pësoi një 44-vjeçar, bashkudhëtar në veturën “Hyundai”.
Policia ka kryer këqyrjet në vendngjarje dhe po heton rrethanat e aksidenteve.
