Nuk ekziston vlerë që e tejkalon sakrificën dhe idealin e UÇK-së

nga D. V.

Në Maqedoninë e Veriut, është e dukshme rritja e ndikimit të botës serbe dhe e politikave antishqiptare. Tubimi i sotëm ishte, ndër të tjera, një mesazh i qartë se interesi kombëtar qëndron mbi interesin e çdo individi apo grupi që ka përfituar ose synon të përfitojë në të ardhmen. Kështu, gjatë gjithë historisë, shqiptarët kanë mbrojtur trojet e tyre, duke dëshmuar vazhdimisht se janë dhe do të mbeten këtu.

Sot, në çdo cep të Shkupit ishin të pranishme njësi speciale të policisë, duke krijuar pamje të panevojshme tensioni. Qasja e tillë u perceptua si përpjekje për frikësim, sikur të dërgohej mesazhi se liria e shprehjes dhe e tubimit për shqiptarët mbetet e kufizuar. Megjithatë, pjesëmarrja jonë nuk ishte kundër askujt dhe as me qëllim rehabilitimi të kujtdo. Ajo ishte një kërkesë e qartë për drejtësi për luftën e drejtë të UÇK-së dhe një thirrje për dinjitet, barazi dhe bashkëjetesë të vërtetë.

Tubimi kishte për qëllim edhe inkurajimin e çdo shqiptari, përfshirë përfaqësuesit institucionalë, që të mos ndihen të frikësuar kur ushtrojnë të drejtat e tyre kushtetuese, përfshirë valëvitjen e lirë të flamurit kombëtar në Strugë dhe kudo ku jetojnë shqiptarët, si dhe mbrojtjen e identitetit dhe dinjitetit kombëtar.

Përballë politikave të hapura diskriminuese të VMRO-DPMNE-së ndaj shqiptarëve, është e domosdoshme një qëndrim i qartë dhe publik edhe nga kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti. Në situata të tilla, dallimet apo raportet brenda spektrit politik shqiptar nuk duhet dhe nuk mund të jenë pengesë për mbrojtjen e interesit kombëtar.

Debatet dhe mospajtimet ndërmjet liderëve politikë shqiptarë le të mbeten pjesë e diskursit të brendshëm politik. Por kur bëhet fjalë për politika diskriminuese ndaj shqiptarëve, qëndrimi duhet të jetë i unifikuar, i qartë dhe pa asnjë ekuivok.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More