Padia kundër BBC-së, gjykata urdhëron Trump të dëshmojë nën betim

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Londër, 23 tetor, Zhurnal.mk – Presidenti amerikan, Donald Trump, duhet të japë dëshmi nën betim para fundit të këtij viti, në kuadër të padisë prej 10 miliardë dollarësh që ka ngritur kundër transmetuesit britanik BBC, vendosi një gjykatë amerikane.

Vendimi u mor nga gjyqtarja Enjoliqué Lett, pas ankesave të avokatëve të BBC-së, të cilët thanë se presidenti kishte vonuar dhënien e dëshmisë para gjyqit.

Avokati i BBC-së, Charles Tobin, tha se kishin mbetur vetëm dy muaj nga afati për paraqitjen e provave, por se ata ende nuk kishin arritur të merrnin dëshminë e Trump.

Ai shpjegoi se ishte rënë dakord që Trump të dëshmonte më 16 tetor, por presidenti e anuloi takimin për shkak të një çështjeje me rëndësi kombëtare.

Sipas Tobin, në të vërtetë Trump po zhvillonte fushatë në shtetin e Xhorxhias.

“Ai po merrte pjesë në veprimtari politike partiake dhe i dha përparësi kësaj, në vend që të paraqitej për të dhënë dëshminë”, tha avokati.

Gjyqtarja Lett vendosi që Trump duhet të japë dëshminë para 11 dhjetorit.

Në të kundërt, padia e tij mund të rrëzohet, përveç rastit kur afati për mbledhjen dhe shqyrtimin e provave zgjatet përtej 18 dhjetorit.

Trump kërkon një dëmshpërblim të madh financiar në një gjykatë në Florida, për shkak të mënyrës se si BBC-ja montoi një dokumentar të emisionit “Panorama”, të publikuar në vitin 2024, për trazirat në Kapitol, selinë e Kongresit amerikan.

Dokumentari u kritikua sepse, përmes mënyrës së montimit të pamjeve dhe fjalëve të Trump, krijonte përshtypjen se presidenti kishte nxitur mbështetësit e tij të sulmonin ndërtesën e Kapitolit më 6 janar 2021, pasi kishte humbur zgjedhjet presidenciale ndaj Joe Biden.

Polemikat për këtë dokumentar çuan në dorëheqjen e atëhershme të drejtorit të përgjithshëm të BBC-së, Tim Davie.

Kryetari i BBC-së, Samir Shah, kërkoi falje në emër të transmetuesit për atë që e cilësoi si “gabim në gjykim”.

Ai pranoi se mënyra e montimit të programit kishte krijuar përshtypjen se Trump kishte bërë një thirrje të drejtpërdrejtë për veprime të dhunshme.

Megjithatë, BBC-ja po kërkon që gjykata ta rrëzojë padinë.

Transmetuesi paralajmëron se një vendim kundër tij, mund të krijojë një klimë frike te mediat dhe t’i pengojë ato të raportojnë lirshëm e me vendosmëri për figurat publike dhe ngjarjet e rëndësishme.

BBC-ja ka vënë gjithashtu në pikëpyetje nëse gjykata në Florida, ka të drejtë të shqyrtojë këtë çështje, pasi dokumentari nuk është transmetuar as në Florida dhe as në pjesën tjetër të SHBA-së.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër