“Një nga gjërat që më trishton vërtet është se Rusia refuzoi një armëpushim për Krishtlindje. U bëj edhe një herë këtë kërkesë të gjithë njerëzve vullnetmirë: të respektojnë të paktën në festën e lindjes së Jezusit një armëpushim 24-orësh në Ukrainë dhe në të gjithë botën”. Ky është apeli që papa Leone XIV ka drejtuar në prag të festës së Krishtlindjes nga Castel Gandolfo.
Brohoritjet e njerëzve, të mbledhur në rrugë pavarësisht shiut të dendur, kënga Feliz Navidad dhe këngë të tjera të Krishtlindjes, muzika e bandës bashkiake të Castel Gandolfos e shoqëruan daljen e Leonit XIV nga rezidenca papnore së bashku me famullitarin, don Tadeusz Rozmus, të famullisë Papnore të Shën Tomës nga Villanova, i cili i përcolli Atit të Shenjtë urimet në emër të të gjithëve dhe i dha dhuratën e disa produkteve tipike.
Papa Leone XIV bëri me dije për gazetarët se kishte kontaktuar me famullitarin e Gazës dhe ata po përpiqen të festojnë një festë Krishtlindjesh në një situatë ende shumë të pasigurt. “Le të shpresojmë që marrëveshja e paqes të ecë përpara”, tha përsëri papa ndërsa po largohej nga Villa Barberini në Castel Gandolfo.
Duke e zhvendosur vëmendjen në SHBA, papa komentoi miratimin e fundit në shtetin e tij të origjinës, Illinois, të një ligji që lejon vetëvrasjen e asistuar për të rriturit me sëmundje terminale me një prognozë gjashtë muaj ose më pak, duke filluar nga shtatori 2026. Leoni XIV shpjegoi se e kishte trajtuar tashmë këtë temë “shumë hapur” me guvernatorin JB Pritzker gjatë audiencës në Vatikan në nëntorin e kaluar.
“Ishim shumë të qartë për nevojën e respektimit të shenjtërisë së jetës, nga fillimi deri në fund. Dhe, për fat të keq, për arsye të ndryshme, ai vendosi ta nënshkruajë atë projektligj. Jam shumë i zhgënjyer nga kjo”, theksoi Ati i Shenjtë.

