Pas epidemisë në Gostivar baktere, arsen dhe dyshime për ujin edhe në qytete të tjera

Nga I.A
675 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 24 korrik, Zhurnal.mk – Pas paralajmërimit që uji të mos përdoret për pije në Valandovë, uji doli bakteriologjikisht i pasigurt edhe në Krushevë, ndërsa ka dyshime edhe për sigurinë e ujit në Veles. Pas krizës me ujin dhe epidemisë në Gostivar, në opinion u paraqitën paralajmërime dhe raporte se uji është i kontaminuar edhe në qytete të tjera të Maqedonisë.

Disa ditë pas shpërthimit të skandalit në Gostivar, fillimisht u gjet arsen në ujin e Valandovës, baktere fekale në ujin e spitalit në Leshok, uji në Krushevë u shpall i pasigurt, ndërsa u publikuan dyshime për ujin në Veles.

“Komunal Servis” Valandovë paralajmëroi që uji të mos përdoret për pije derisa të merren rezultatet që do të konfirmojnë sigurinë e tij. Niveli i arsenit në ujë ishte 14, ndërsa kufiri maksimal është 10.

“Uji mund të përdoret vetëm si ujë teknik. NP Komunal Servis – Valandovë tashmë po ndërmerr të gjitha aktivitetet e nevojshme dhe po kryen analiza dhe kontrolle shtesë të cilësisë së ujit, në bashkëpunim me institucionet kompetente. Për të gjitha rezultatet dhe rekomandimet e mëtejshme, opinioni do të informohet me kohë”, njoftoi ndërmarrja.

Sot, e njëjta ndërmarrje e hoqi ndalimin për përdorimin e ujit për pije, pasi mori rezultatet e reja nga analizat e Institutit të Shëndetit Publik, sipas të cilave uji nga ujësjellësi i qytetit i plotëson kushtet ligjore për cilësi dhe është i sigurt për pije dhe përdorim të përditshëm.

Bakteriologjikisht i pasigurt doli edhe uji në Krushevë, ndaj ndërmarrja publike “Komuna” u rekomandoi banorëve lokalë që për pije të përdorin ujë të ambalazhuar. Në njoftim nuk ka detaje se çfarë ka treguar analiza, pra në ç’mënyrë uji është bakteriologjikisht i pasigurt.

“Gjithashtu, gjatë testimit të çezmave rrugore ‘Benzinska pumpa’ dhe ‘Shën Petka’, pra të mostrave të marra më 20 korrik, është konstatuar pasiguri bakteriologjike dhe ato nuk duhet të përdoren si ujë për pije”, theksojnë nga ndërmarrja.

Sipas “Komuna”, uji nga ujësjellësi i qytetit, për higjienë personale, përgatitje të ushqimit, larje dhe pastrim të enëve, banorët mund ta përdorin vetëm pas zierjes për minimum 10 minuta.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër