Kuvendi do të mblidhet sot në seancë plenare, ndërsa i gjithë perimetri i godinës është rrethuar me gardh metalik.
Gazetarja e Top Channel, Elda Menga raporton se deputetët e Partisë Socialiste po hyjnë në ambientet e Parlamentit nga hyrja anësore, në krahun e Akademisë së Shkencave.

Në hyrjen kryesore janë vendosur gardhet metalike që rrethojnë të gjithë perimetrin e Kuvendit.

Në seancën plenare të së enjtes, pati përplasje mes protestuesve dhe policisë. Disa prej protestuesve goditën me vezë deputetët, çka ka bërë që policia të reagonte duke i shoqëruar në komisariat. Në të njëjtën kohë disa protestues çanë gardhin metalik dhe tentuan të hyjnë brenda Parlamentit, gjë që bëri që Policia të përdorte edhe spray lotsjellës.

Në total, policia shoqëroi dhe ndaloi 20 persona pas incidenteve që shoqëruan protestën para Kuvendit, ku mbetën të plagosur 9 efektivë të policisë dhe u lënduan 5 protestues.

