Tiranë, 19 tetor, Zhurnal.mk – Sekretari për të Drejtat e Njeriut në Partinë Demokratike, Franc Nuri deklaroi se në faqen e internetit www.pd.al është krijuar një nënfaqe e quajtur Arkiva e Terrorit Policor, ku do të regjistrohet çdo dëshmi e dhunës, keqtrajtimit dhe presionit ndaj qytetarëve nga policët me uniformë apo civilë.
Në një deklaratë, Nuri tha se Partia Demokratike ka qenë dëshmitare e dhunës së paprinciptë, të paprecedentë dhe të paligjshme e të pajustifikuar të narkopolicisë.
“Përveç mbështetjes së pakursyer, të të gjitha formave brenda kufijve demokratikë, ne duke nisur që tani, publikojmë në faqen tonë të internetit www.pd.al një nënfaqe që e kemi quajtur Arkiva e Terrorit Policor. Aty do të hedhim, orë pas ore e minutë pas minute, çdo dëshmi të dhunës, keqtrajtimit dhe presionit ndaj qytetarëve shqiptarë nga policët me uniformë apo civilë të narkoregjimit”, tha ai.
Nuri pohoi se duke shfrytëzuar burimet në terren dhe ato mediatike, PD inkurajon çdo qytetar që të dërgojë çdo foto, video dhe material që ekspozon dhe dëshmon, dhunën fizike apo presionin verbal të policisë apo çdo segmenti shtetëror.
“Çdo dëshmi e kësaj dhune do tu përcillet kancelarive perëndimore, nga Brukseli në Berlin e Washington, siç është bërë me manipulimet zgjedhore”, përfundoi ai.
