PD: Të pezullohet projekti TID Durrës dhe të nisin procedurat për shfuqizimin e tij de jure

Nga D V
807 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 3 shtator, Zhurnal.mk – Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun në Partinë Demokratike, Viola Kapidani, tha sot se PD është në mbështetje të banorëve të Durrësit që kundërshtojnë projektin TID dhe kërkojnë pezullimin e procedurave të prishjes dhe shpronësimit.

Kapidani tha se PD mbështet plotësisht kërkesën e banorëve për pezullimin e menjëhershëm të projektit TID Durrës, ndalimin e procedurave të prishjes dhe shpronësimit, si dhe nisjen e procedurave institucionale për shfuqizimin e tij de jure.

Sipas saj, banorët i kanë paraqitur Bashkisë Durrës më 1 shtator një dokument prej 15 faqesh, të firmosur nga 65 qytetarë, përmes të cilit kërkohet zyrtarisht pezullimi i projektit dhe nisja e procedurave për shfuqizimin e tij.

“Sot kemi edhe një realitet të ri juridik dhe urbanistik, të cilin Bashkia Durrës nuk mund ta anashkalojë. Shfuqizimi i vendimit për Zonën e Re për Zhvillim dhe i kuadrit planifikues të lidhur me të ka ndryshuar situatën e një pjese të territorit ku ndërhyn edhe projekti TID”, tha ajo.

Kapidani theksoi se shfuqizimi i një instrumenti planifikimi nuk sjell automatikisht shfuqizimin juridik të projektit TID. Pikërisht për këtë arsye, sipas saj, kërkesa e banorëve është që të ndërmerren procedurat konkrete për shfuqizimin de jure të projektit.

“Duhet të jemi juridikisht korrektë: shfuqizimi i një instrumenti planifikimi nuk sjell automatikisht shfuqizimin juridik të TID Durrës. Pikërisht për këtë arsye banorët kërkojnë shfuqizimin de jure të projektit. Dhe ne e mbështesim plotësisht këtë kërkesë. Ndryshimi i statusit juridik dhe planifikues të territorit nuk mund të konsiderohet pa pasoja për një projekt që prek drejtpërdrejt pronat e qytetarëve”, tha ajo.

Sipas saj, nëse projekti po rishikohet apo rikonfigurohet, qytetarët nuk mund të vijojnë të jetojnë nën pasigurinë e shpronësimit sikur projekti të ishte i pandryshuar dhe përfundimtar.

Kapidani kërkoi që Bashkia Durrës të pezullojë projektin TID dhe çdo procedurë prishjeje apo shpronësimi që mund të krijojë pasoja të pakthyeshme, të bëjë publik statusin juridik të projektit dhe efektet e ndryshimeve të fundit mbi pronat e përfshira.

“Prandaj i kërkojmë Bashkisë Durrës: Të pezullojë projektin TID dhe çdo procedurë prishjeje apo shpronësimi që mund të krijojë pasoja të pakthyeshme. Të bëjë publik statusin juridik të projektit dhe efektet e ndryshimeve të fundit mbi pronat e përfshira. Dhe të nisë procedurat institucionale për shfuqizimin de jure të projektit TID Durrës, në përgjigje të kërkesës së banorëve”, tha ajo.

Kapidani deklaroi se Partia Demokratike do të vijojë të qëndrojë në krah të banorëve dhe kërkoi nga Bashkia Durrës dhe institucionet përkatëse që t’i japin përgjigje kërkesës së tyre.

“TID Durrës duhet të pezullohet dhe duhet të nisin procedurat për shfuqizimin e tij de jure”, tha ajo.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër