Shkup, 11 qershor Zhurnal.mk – Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Perinski, vlerëson se kërkesa e Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (ZELS) për rritjen e pjesës së komunave nga TVSH-ja në 10 për qind dhe nga tatimi personal në 50 për qind është e arsyeshme vetëm nëse buxheti shtetëror ka mundësi të pakufizuara financiare.
Sipas tij, para se të kërkojnë mjete shtesë nga buxheti qendror, komunat duhet të përmirësojnë arkëtimin e të hyrave vetanake. Analizat e Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale tregojnë se komunat humbin çdo vit nga 80 deri në 100 milionë euro për shkak të arkëtimit joefikas të tatimit mbi pronën dhe evidencave të parregulluara tatimore.
Përinski theksoi se problemi më i madh është fakti që shumë shtëpi, banesa dhe objekte afariste nuk janë të regjistruara fare në bazat tatimore të komunave, duke shkaktuar humbje prej rreth 1,1 miliardë denarësh në vit. Ai shtoi se një pjesë e komunave ende nuk disponojnë sisteme moderne dhe të automatizuara për evidencën dhe monitorimin e tatimpaguesve.
Ministri ngriti shqetësime edhe për arkëtimin selektiv të tatimit, duke theksuar se në raste të caktuara ekziston qasje subjektive në vendosjen se kujt do t’i dërgohet vendimi për tatim dhe kujt jo.
Për tejkalimin e këtyre problemeve, Qeveria ka formuar një trup koordinues ku marrin pjesë Ministria e Financave, Drejtoria e të Hyrave Publike, Agjencia e Kadastrës, Ministria e Digjitalizimit dhe ZELS. Qëllimi është krijimi i një zgjidhjeje të unifikuar softuerike që do të mundësojë shkëmbim automatik të të dhënave ndërmjet institucioneve.
“Qëllimi është që procesi të automatizohet plotësisht. Kur qytetari blen ose ndryshon pronë, të dhënat menjëherë të shkëmbehen mes Kadastrës, DHP-së dhe komunës. Në fund të vitit, vendimi tatimor do të gjenerohet automatikisht”, deklaroi Perinski.
Ai porositi se vetëm pasi komunat të shfrytëzojnë maksimalisht mundësitë ekzistuese ligjore dhe të mbyllin humbjet financiare që arrijnë në dhjetëra milionë euro në vit, mund të hapet një debat real për rritjen e pjesës së tyre nga TVSH-ja dhe tatimi personal, nga të cilat aktualisht përfitojnë nga gjashtë për qind.
