Shkup, 17 Mars, Zhurnal.mk – Kryesia e partisë opozitare maqedonase LSDM dhe anëtari i saj nga dega e Shkupit janë futuar në një konflikt brenda-partiak.
Petre Shilegov, i cili ditë më parë thirri publikisht për dorëheqje të kryesisë së partisë, tash ndodhet në një procedurë përjashtimi nga partia, e për të cilin ai thotë se sipas statusit partiak nuk mund të bëhet nga kryesia qendrore e partisë, por nga vet dega në Shkup.
Shilegov mendon se drejtuesit e partisë duhet që të japin dorëheqjen dhe t’u hapin rrugë kuadrove të reja.
Sipas tij, opozitarizmi i dobët i ofruar nga LSDM po i detyron disa nga qytetarët kritikë të kërkojnë opozitë diku tjetër, më shpesh në partinë Levica (e majta).
Pas kësaj thirrje të tij, Bordi Ekzekutiv i LSDM-së tha se Shilegov është “shantazhuar” dhe e akuzoi atë se po punon në interes të VMRO-DPMNE-së për kinse shkatërrim të LDSM-së nga brenda.
Kryetari i partisë Venko Filipçe theksoi se akuzat kundër tij dhe partisë janë pjesë e sulmeve politike dhe “lajmeve të rreme”, duke vlerësuar se qëllimi është diskreditimi i LSDM-së në publik.
Sipas Filipçe brenda partisë ekziston një marrëveshje e fortë për, siç tha ai, përgjegjësi për të gjithë përfaqësuesit e qeverisë aktuale që supozohet se janë të lidhur me krimin, duke hedhur poshtë kështu akuzat e Shilegovit dhe pretendimet e tij për marrëveshje të supozuara me VMRO-DPMNE-në.
