Gjyshit tim, tashmë të ndjerë, i kishin caktuar një kontroll mjekësor tek fqinji ynë dr. Bujar Osmani.
Me të hyrë brenda në zyrë, gjyshi im siç e kishte zakon e përshëndeti me selam. Besimtarët myslimanë e dinë shumë mirë se kur njëri të përshëndet me selam, tjetri është i detyruar (e ka për borxh) që t’ia kthejë selamin. I veshur me kostume të shtrenjta dhe kollare me ngjyrë të kuqe, e lëvizi kokën dhe nuk tha asnjë fjalë.
Me gjyshin hyra brenda edhe unë, sa për asistencë, sepse gjyshi kishte problem me dëgjimin dhe shpeshherë nuk i kuptonte mirë fjalët.
Doktorit i dhashë shenjë njohjeje duke i thënë se jemi fqinj. “E di!” – m’u përgjigj ftohtë, me autoritetin e kirurgut që rëndom i karakterizon gjakftohtësia dhe mungesa e empatisë.
“Dil jashtë!” – më urdhëroi. Buzëqeshja më ngeli e ngrirë dhe dola jashtë. Pas një dhjetë minutash, doli gjyshi im. I ndjeri, nuk e kishte hallin e vet që duhej të operohej, por më tha si në mërzi: “pse të tha çashtu dil jashtë, ti nuk bone kurgjo?”. Që mos ta mërzitja edhe më shumë gjyshin tim, i thashë mesiguri nuk deshi që unë të të shoh duke të kontrolluar. “Pale, kush e di, po ti je nipi jem, çka ka lidhje” – më tha gjyshi.
Atë javë, në muajin shkurt të vitit 2020, përpara fillimit të pandemisë, sa më njoftoi im atë se gjyshin e kishin operuar. Ai ishte i zënë në punë dhe meqënëse atë ditë isha shumë afër spitalit, me të shpejt shkova dhe u ngjita lart. Në derë doli dr. Bujar Osmani. Duke e parë si një hero që sa e kishte operuar gjyshin tim, i them me plot shpresë: “doktor, si është gjyshi?”. “Mirë!” – dhe u largua. Asnjë fjalë më tepër. Sidoqoftë, isha i detyruar t’i gëlltisja të gjitha këto dhe ta qetësoja veten time, se ishte tipi i njeriut që nuk e do shumë komunikimin.
Në shenjë mirënjohjeje që e kishte operuar gjyshin tim, doja t’i bëj një dhuratë simbolike. Duke e ditur se “korrupsionin” nuk e pranon, e vrava mendjen dhe mendova t’ia bëj një stilograf të shtrenjtë të personalizuar me emrin e tij si dhe një libër të shkruar nga një diplomat i lartë.
Gjyshi me ditë të tëra, ka ndejtur i shtrirë në shtëpi, pa i hequr penjtë. I kam shkruar disa herë në celularë doktorit për t’u takuar. Si shprehja popullore: “herë këtë të enjte, e herë në atë të enjte”, derisa një ditë gjyshin e gjetëm të rrëzuar në tokë në korridor herët në mëngjes duke rënkuar.
Me tim atë, me makinë e dërguam shpejt në spital. Nuk na pranoi ai, sepse ishte i zënë. Gjyshin tim e kontrolloi dikush tjetër dhe na udhëzoi që të shtrihet shpejt sërish në spital, sepse kishte ca komplikime të tjera.
Pas një kohe të gjatë, e takova doktorin duke e parkuar makinën e tij në garazhë. Edhe pse u afrova për ta përshëndetur, derën e mbylli përpara fytyrës sime dhe si në burg matanë hekurave më përshëndeti duke e lëkundur kokën. I thashë se kisha një dhuratë për të. “Ok” – më tha, “do të shihemi.”
Atë periudhë, sa kisha magjistruar, ndërkaq ai më vonë u emërua edhe ministër i punëve të jashtme. Special për të, punimin tim të magjistraturës e kishte bërë një kopje më tepër për t’ia dhuruar atij. Por, të gjitha këto momente takimi me të, vendosa të heq dorë për çdo kontakt të mëtutjeshëm.
Nëse unë s’jam mbi të gjitha njeri për të, unë e shumëzoj atë me zero.
