Pezullimi i shpërndarjes së fondeve të BE-së për fermerët e Maqedonisë së Veriut mbetet ende në fuqi pavarësisht aktakuzës

nga Redaksia

Bruksel/Shkup, 04 shkurt – Komisioni Evropian (KE) tha se ndërprerja e shpërndarjes së fondeve për sektorin bujqësor të Maqedonisë së Veriut vazhdon pavarësisht aktakuzës së ngritur dy ditë më parë nga prokuroria lokale kundër pesë personave në lidhje me një rast ryshfeti shkruan dtt-net.com, transmeton Zhurnal.mk.

“Komisioni Evropian është në dijeni të aktiviteteve hetimore nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut mbi dyshimet për korrupsion të mundshëm nga një zyrtar i lartë brenda Agjencisë IPARD”, tha një zëdhënës i KE-së për dtt-net.com kur u pyet për efektin e mundshë të aktakuzës në ndalimin e përkohshëm të pagesave nga Brukseli.

Një drejtor i një agjencie publike të sektorit është midis pesë të paditurve nga prokuroria në Shkup për akuza ryshfeti, por kur u pyet nëse aktakuza është e mjaftueshme për të rifilluar pagesat, zëdhënësi i KE-së tha se vendimi është ende i vlefshëm si masë parandaluese për të mbrojtur buxhetin e BE-së.

“Në rrethanat aktuale, si një masë standarde parandaluese për të mbrojtur buxhetin e Bashkimit Evropian, Komisioni ka vendosur të ndërpresë afatin e pagesës për deklarimin e shpenzimeve për tremujorin e tretë të vitit 2025 në kuadër të programit IPARD III. Kjo masë parandaluese plotëson masat e marra tashmë nga Zyrtari Autorizues Kombëtar, të cilat kontribuojnë në sigurimin e mbrojtjes së interesave financiare të BE-së”, u përgjigj zëdhënësi përmes email-it.

Zyrtari Autorizues Kombëtar (NAO) i Maqedonisë së Veriut ka vendosur gjithashtu të pezullojë të gjitha pagesat në kuadër të programit IPARD III 2021-2027 nga 7 nëntori 2025 deri në njoftim të mëtejshëm.

Por zëdhënësi nuk sqaroi se çfarë duhet të bëjnë autoritetet e Maqedonisë së Veriut si hap konkret në mënyrë që KE të mund të rifillojë me shpërndarjen e fondeve në Shkup për bujqit.

“Meqenëse po merremi me paratë e taksapaguesve të BE-së, presim që autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut të vazhdojnë ta marrin këtë çështje shumë seriozisht. Komisioni është gati të vazhdojë të mbështesë fermerët, sektorin agro-ushqimor dhe zonat rurale të Maqedonisë së Veriut në të ardhmen, me kusht që interesat financiare të Bashkimit Evropian të mbrohen siç duhet”, thuhet në përgjigje pa asnjë detaj të mëtejshëm.

BE-ja ka ndarë gjithsej 97 milionë euro për fondin IPARD III të Maqedonisë së Veriut për periudhën 2021-2027, nga të cilat 7 për vitin 2021, 8 për vitin 2022, 12 për vitin 2023, 15 për vitin 2024, 17 për vitin 2025, 18 për vitin 2026 dhe 20 për vitin 2027.

KE-ja gjithashtu ka pezulluar shpërndarjen e 112 milionë eurove për qeverinë e Shqipërisë për shkak të një rasti të keqpërdorimit të rreth 33 milionë eurove nga fondet IPARD II, dhe rasti është nën hetim, si nga KE-ja ashtu edhe nga autoritetet e Shqipërisë.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More