Prishtinë, 19 qershor, Zhurnal.mk – Është zbuluar pllaka përkujtimore-obelisk në nderim të dëshmorit Ali Ajeti, në Mirec të Podujevës i cili dha jetën për lirinë e Kosovës.
Nëna e dëshmorit, Vahide Ajeti, nën emocione falënderoi të pranishmit për nderimin e bërë ndaj djalit të saj.
“E lumtur jam, lutem që gjaku i tyre s’hup, e faleminderit prej juve shumë, po çfarë me ju bë nënave që kanë mbet pa buste hiç, po çka me bë edhe ajo nënë le të bëjë gajret”, tha Ajeti.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi tha se Ali Ajeti ishte ndër veprimtarët e hershëm të rezistencës për lirinë e Kosovës dhe se sakrifica e tij mbetet frymëzim për brezat e rinj.
“Sot nuk jemi mbledhur vetëm për të zbuluar një obelisk, jemi mbledhur për të nderuar një jetë të tërë të dhënë në shërbim të lirisë. Pikërisht në këtë vend, para 37 vitet ra një prej djemve më të mirë të Llapit dhe Kosovës, Ali Ajeti. Ra një njeri që nuk e pranoi padrejtësinë, që nuk u pajtua me robërinë dhe që bashkë me veprimtarët e tjerë të kohës u bënë ndër nismëtarët e parë të organizimit dhe qëndresës për lirinë e Kosovës. Ali Ajeti, i përkiste atij brezi burrash që e deshën lirinë më shumë se veten. Ai e kuptoi herët se liria nuk dhurohet, por fitohet me përkushtim, sakrificë e guxim. Për këtë ideal, ai përjetoi përndjekje, burgosje dhe në fund dha edhe jetën. Sot, kur qëndrojmë në këtë vend ku ai ra heroikisht, e kemi më të lehtë të kuptojmë peshën e sakrificës së tij. Ky obelisk do të jetë dëshmi e përhershme se Llapi nuk i harron bijtë e vet dhe se kujtesa për ta do të jetojë brez pas brezi”, tha Bulliqi.
Miku dhe bashkëveprimtari i Ali Ajetit, Ismet Abdullahu, kujtoi ngjarjet e 30 majit të vitit 1989, kur sipas tij Ali Ajeti u vra duke mbrojtur nxënësit dhe shokët e tij nga forcat policore të kohës.
Ai rrëfeu se protestuesit ishin përballur me ndërhyrjen e policisë, ndërsa Ali Ajeti kishte vazhduar rezistencën deri në vendin ku sot është ngritur pllaka përkujtimore.
“Kjo ditë për ne kujton para 27 vite një ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme por edhe të dhimbshme, por edhe krenare, sepse në atë ngjarje ra heroikisht dëshmori i kombit Ali Ajeti, ra duke i shpëtuar shokët, nxënësit, ata të cilët ishin të organizuar për mos t’u kapur nga njësia e policisë së asaj kohe. Aliu pak më tutje është plagosur duke i mbrojtur nxënësit për mos t’i arrestuar policia, të cilët ishin në protestat e 30 majit. Ne ishim ilegalë në atë kohë, qysh tre muaj kishim qëndruar ilegalë prej marsit, të gjithë. Kishim vendosur shoqërisht, të gjithë së bashku, që me ardhjen e parlamentarëve në Kosovë të dalim dhe të shprehim pakënaqësitë e qytetarëve të Kosovës, mua në Podujevë edhe në të gjithë Kosovën, por fatkeqësisht në komuna të tjera nuk është bërë”, tha Abdullahu.
Në emër të familjes, Isa Ajeti tha se ky bust do të qëndroi si një simbol i përjetshëm i lavdisë, sakrificës dhe qëndresës së popullit.
“Falë bujarisë dhe përkushtimit të bizneseve dhe të komunës, u bë i mundur realizimi i këtij projekti madhështor, i cili tashmë qëndron si një simbol i përjetshëm i lavdisë, sakrificës dhe qëndresës së popullit tonë. Kontributi juaj është dëshmi e qartë e respektit që ju tregoni për të kaluarën dhe vlerat tona kombëtare, duke u siguruar që sakrifica e heronjve të mos harrohet kurrë. Ky obelisk nuk është thjesht një monument, por një altar nderimi për brezat që vijnë”, tha Ajeti.
Në përfundim të ceremonisë, familjarë, përfaqësues institucionalë dhe qytetarë bënë zbulimin e pllakës përkujtimore të heroit Ali Ajeti. /kp/
