Pukë, 22 gusht Zhurnal.mk – Një person i armatosur ka mundur t’i largohet Policisë gjatë kontrollit të një parcele ku dyshohet se ishin kultivuar bimë narkotike, në fshatin Kodërbojë të Pukës.
Sipas Policisë, gjatë kontrollit të parcelës, shërbimet kanë konstatuar një person të armatosur. Sapo ka vënë re efektivët, ai është larguar me shpejtësi, duke mos iu bindur urdhrit për të ndaluar.
Në përpjekje për ta ndaluar, një prej punonjësve të Policisë ka qëlluar me armë zjarri në ajër si të shtëna paralajmëruese. Megjithatë, personi i armatosur ka përfituar nga terreni i thyer dhe ka arritur të largohet.
Pas ngjarjes, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e personit të armatosur.
Ndërkohë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Komisariatit të Policisë Pukë dhe Forcave Kombëtare të Sigurisë vijojnë kontrollet në zonë me qëllim kapjen e tij.
