Presidenti Begaj mbledh sot krerët e komuniteteve fetare

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 18 tetor Zhurnal.mk – Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, do të takohet sot me krerët e komuniteteve fetare në vend. Takimi është planifikuar për orën 12:00.

Arsyeja e takimit ende nuk dihet. Ai vjen pas pesë ditësh protestash, të shoqëruara me përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë.

Përplasjet nisën pranë Ministrisë së Arsimit dhe u zhvendosën drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” e Kryeministrisë, duke vazhduar edhe në mbrëmje.

Policia përdori gaz lotsjellës, autobotë me ujë dhe plumba gome, ndërsa grupe protestuesish hodhën gurë, molotovë dhe fishekzjarrë drejt efektivëve.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, njoftoi pezullimin e shtatë policëve dhe nisjen e hetimeve disiplinore për veprimet e tyre gjatë protestave.

Studentët kërkojnë arsim më cilësor, mbështetje financiare dhe mundësi punësimi. Protestat janë shoqëruar gjithashtu me thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Rama e ka refuzuar dorëheqjen dhe ka akuzuar kundërshtarët politikë për nxitjen e trazirave, ndërsa ka premtuar mbështetje për bizneset e dëmtuara.

Në mbrëmje, Ambasada amerikane kërkoi që protestat të zhvillohen paqësisht: “U bëjmë thirrje të gjitha palëve për vetëpërmbajtje dhe qetësi”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër