Prof. Dr. Tatjana Stojanovska: Femicidi është një problem i thellë shoqëror në vendin tonë

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 10 nëntor Zhurnal.mk – Femicidi në Maqedoninë e Veriut është një problem i thellë shoqëror dhe jo një rast i izoluar, pasi edhe gjatë viteve të fundit janë regjistruar vazhdimisht raste të tilla, të cilat kanë marrë vëmendjen e opinionit publik. Krahas tyre, shqetësues mbetet edhe numri i rasteve të dhunës në familje, me lëndime fizike, por edhe i dhunës kibernetike dhe psikologjike.

Kështu vlerëson sociologia dhe profesoresha universitare, prof. dr. Tatjana Stojanovska, në një intervistë me video për „Fokus“, duke komentuar ngjarjen e rëndë që ndodhi para disa ditësh në Bogdanci, ku 17-vjeçarja Biljana Qiriq u vra brutalisht dhe më pas u dogj. Rasti tronditi opinionin publik në Maqedoni dhe është një tjetër në vargun e rasteve të dhunës ndaj grave që, fatkeqësisht, përfundojnë me femicid.

Stojanovska foli edhe për atë nëse në vend vazhdon të ekzistojë kultura e heshtjes ndaj dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, veçanërisht në një periudhë kur janë shtuar raportimet për raste të tilla.

„Patriarkalizmi, autokracia dhe familja autoritare janë një gjë, ndërsa vlerat tradicionale, të cilat meritojnë respekt, si respekti, toleranca dhe përgjegjësia, janë diçka krejt tjetër. Por, ne këtu po ndërtojmë dhe po kultivojmë një kulturë të dhunës. Dhe në një kulturë të tillë jetojmë. Dhunë në çdo segment, ku ajo miratohet, ku dhuna lind dhunë dhe ku i shtypuri bëhet shtypës. Edhe në mediat masive çdo ditë përballemi me këtë kulturë të dhunës. Fatkeqësisht, në vend që të ndërtojmë një nënkulturë të vlerave pozitive, ne po zhvillojmë të kundërtën, duke kultivuar devijime shoqërore“, thekson Stojanovska.

Ajo vlerëson se Maqedonia ka problem me të ashtuquajturën tolerancë ndaj dhunës, pasi tragjedi të tilla nuk janë raste të izoluara. Sipas saj, një nga faktorët kryesorë që kontribuon në këtë gjendje është parimi i pandëshkueshmërisë.

Në mjediset ku mbizotërojnë frika dhe turpi, raste të tilla të dhunës shpesh heshten dhe nuk raportohen, gjë që, sipas saj, është krejtësisht e gabuar.

Stojanovska thekson se bëhet fjalë edhe për një problem institucional, ku përgjegjësia bartet nga një institucion te tjetri, pa u marrë përgjegjësia e duhur për parandalimin dhe trajtimin e dhunës.

artikuj të ndërlidhura