Banorët e fshatit Rrjoll të Velipojës po protestojnë sot para Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), kundër ndërtimit të një resorti turistik në Baks-Rrjoll.
Ata pretendojnë se projekti po realizohet në tokën që u përket ligjërisht, ndërkohë që një proces gjyqësor për pronësinë e truallit është ende në shqyrtim në Gjykatën e Apelit në Tiranë.
Banorët bënë thirrje për drejtësi, duke theksuar se SPAK është i vetmi institucion në të cilin kanë besim se do ta zgjidhë këtë çështje.
Sipas tyre, institucionet përgjegjëse nuk kanë dhënë sqarime të qarta lidhur me statusin e tokave dhe procedurat e miratimit të projektit.
Banorët kundërshtojnë projektin, duke pretenduar se tokat ku po realizohet investimi janë pronë e tyre dhe se po cenohen pa një proces të rregullt ligjor.
Po ashtu, banorët shprehin shqetësimin se sipërmarrësi ka nisur punimet, edhe pse palët janë në proces gjyqësor.
Pas paraqitjes në SPAK, avokati përfaqësues i banorëve, Ndue Pjetra tha se Prokuroria e Posaçme nuk ka marrë ende përgjegjësinë për çështjen e kallëzuar prej tyre.
“Nëse brenda tri ditësh nuk do të ketë sekuestrim të dosjes dhe pezullim të punimeve, do të jemi sërish këtu”, u shpreh Pjetra.
“Ne kemi akuzë dhe për ndërtim pa leje. Ne jemi në pritje të dy verdikteve që parashikon ligji, pasi ai ka marrë forcërisht pronën dhe ka nisur ndërtimin. Kërkojmë ndërhyrjen për ndalimin e punimeve, por s’ka reagim”, u shpreh avokati.
Në shenjë proteste në ditët e mëparshme banorët kanë bllokuar edhe aksin rrugor Velipojë–Shëngjin.
Projekti parashikon ndërtimin e një kompleksi turistik me një sipërfaqe rreth 146 hektarë në zonën e Rrjollit (Shkodër), i cili konsiderohet si një nga investimet më të mëdha turistike në vend.
