Shkup, 30 maj Zhurnal.mk – Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka nxjerrë urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj një personi, për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pasurisë në komunikacion”.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari 31-vjeçar mbrëmë në orët e mbrëmjes po drejtonte një automjet Audi A4 në bulevardin “Nikola Karev”. Kur arriti në kryqëzimin me rrugën “Prohor Pçinski”, ai nuk e respektoi sinjalizimin rrugor dhe kaloi mbi vijën e dyfishtë të plotë, duke hyrë në korsitë e qarkullimit për automjetet që vinin nga drejtimi i kundërt, me qëllim kthimin majtas në kryqëzim.
Po ashtu, në kundërshtim me Ligjin për Sigurinë në Komunikacion, ai drejtonte automjetin nën ndikimin e substancave narkotike.
Duke mos respektuar rregullat e komunikacionit, i dyshuari ka rrezikuar me vetëdije sigurinë publike dhe jetën e njerëzve. Me pjesën e përparme të automjetit ai u përplas me një motoçikletë BMW, ndërsa në pjesën e pasme të automjetit u përplas një motoçikletë Honda HDV, të cilat po lëviznin paralelisht nga drejtimi i kundërt.
Si pasojë e përplasjes së fortë, drejtuesi i motoçikletës BMW pësoi lëndime të rënda trupore, nga të cilat ndërroi jetë.
Duke marrë parasysh rrezikun e arratisjes, mundësinë për të ndikuar te dëshmitarët ose për të përsëritur veprën, prokurori publik i ka propozuar gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin.
