Shkup, 9 qershor, Zhurnal.mk – Sipas të dhënave të statistikave shtetërore, në tri institucione për fëmijë dhe të rinj pa prindër dhe pa kujdes prindëror janë strehuar 76 përfitues. Ndërkaq, në tri institucione për kujdesin e personave me pengesa në zhvillimin mendor dhe fizik janë strehuar 223 qytetarë. Në një institucion për strehimin e fëmijëve me probleme edukativo-sociale dhe sjellje të çrregulluar janë përfshirë 27 fëmijë. Gjatë vitit 2025, 125 kompani të sektorit privat kanë punësuar ose angazhuar 1.433 persona me një lloj invaliditeti. Po ashtu, 40 shtëpi për të moshuar kanë qenë në dispozicion të 2.135 personave.
Nga të drejtat e përgjithshme të mbrojtjes sociale për përfituesit e mitur, pjesëmarrjen më të madhe prej 50,3% e kanë pasur shërbimet e punës sociale. Ndërsa nga të drejtat e përgjithshme të mbrojtjes sociale për përfituesit madhorë, pjesëmarrjen më të madhe prej 84,6% e kanë pasur shërbimet e mbrojtjes sociale. Në vitin 2025, 35.950 bartës të ekonomive familjare, përkatësisht po aq familje, kanë përfituar ndihmë minimale të garantuar”, thuhet në raportin e Entit Shtetëror të Statistikës.
Vetëm dy ditë më parë, Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë informoi opinionin publik se pagesa e ndihmës sociale dhe mbrojtjes së fëmijëve do të vonohet këtë muaj, për shkak të një reforme të re të rëndësishme. Arsyeja e vonesës është implementimi i një zgjidhjeje të re softuerike, e cila po zbatohet për modernizimin dhe përmirësimin e proceseve të përpunimit dhe pagesës së të drejtave nga mbrojtja sociale dhe ajo e fëmijëve.
“Qëllimi i reformës është rritja e efikasitetit, sigurisë dhe cilësisë së shërbimeve. Problemet kanë të bëjnë me përshtatjet teknike dhe migrimin e të dhënave, të cilat kanë shkaktuar sfida të paparashikuara për përfituesit”, thuhet në njoftimin e ministrisë përkatëse.
Nga ministria theksojnë se pagesa e të drejtave do të realizohet menjëherë pas përfundimit të përshtatjeve teknike. Ata gjithashtu sigurojnë përfituesit se të drejtat e tyre do të garantohen plotësisht. /Zhurnal.mk
