Shkup, 23 shtator, Zhurnal.mk – Komisioni për emërtimin e rrugëve shkeli afatin e paraparë për përfundimin e listës me emrat e rinj. Edhe pse ishte planifikuar që mbledhja të mbahet më datë 20 shtator, ajo nuk u realizua. Kreu i komisionit për emërtim të rrugëve Albi Qamili, mos kryerjen e kësaj procedure e ka arsyetuar me kontrollet që duhet bërë rreth emrave përpara se të dërgohen në qeveri.
“Është e vërtetë se ne kemi caktuar një plan dinamik për ecurinë e procesit të grupit të punës për emërtimin e rrugëve, por duhet të kemi parasysh delikatesën e këtij procesi. Ju i dini problemet administrative, juridike e gjuhësore që kanë hasur komunat e tjera të këtij procesi andaj, ne kemi thirr edhe ekspertë që janë marrë me këtë proces në komunat e tjera, siç është Komuna e Çairit dhe Qyteti i Shkupit, andaj duke marrë gjitha masat, ne kemi vlerësuar se është më mirë të ngadalësohet procesi por të ketë zgjidhje si duhet ligjore.” – Deklaroi Albi Qamili, Kryetar i komisionit për emërtimin e rrugëve.
Edhe pse sipas Qamilit, lista e kompletuar do jetë gati më 30 shtator e njëjta nuk do të kalojë në këshillin komunal, por do kalojë ca kohë në duar të ekspertëve, për të evituar problemet e mundshme ligjore apo gjuhësore.
“Por sërish do them se procesi shkon në rrugë të mbarë dhe deri në 30 shtator do kemi edhe mbledhjen e radhës të grupit të punës në të cilën mendojmë që do të përfundojmë dhe do kompletojmë listën e cila do kontrollohet nga ekspertët dhe më pas të lëshohet në Këshillin Komunal për miratim dhe në Qeveri për miratim.” Tha Albi Qamili, Kryetar i komisionit për emërtimin e rrugëve.
Ndryshe, në fazën e parë kanë kaluar 77 emra dhe në fazën e dytë 145. Gjithsej 222 emra deri tani janë konfirmuar. Në fazën tjetër do ketë edhe 100 emra të propozuar për emërimin e rrugëve në Tetovë.
