Shkup, 23 nëntor – Tanimë disa vite me radhë që nga periudha e pandemisë, komisioni Antikorrupsion seancat i mban online, përmes platformës Zoom, edhe pse institucioni ka hapësira të mjaftueshme. Antikorrupsioni përbëhet nga kryetari dhe gjashtë anëtarë, ekip i mjaftueshëm për një sallë solide ku do të kishte mundësi që edhe mediat të jenë prezent. Megjithatë, siç thonë nga ky institucion, pengesa e vetme mbetet mungesa e pajisjeve teknike.
“Nuk kemi kushte për mbajtjen e drejtpërdrejt të seancave por punojmë për këtë. Edhe seancat e radhës do të vazhdojnë përsëri siç mbaheshin deri tani. Me rëndësi është që respektohet ligji për mbajtjen e seancave në mënyrë publike. Sapo të kemi kushte, do t’i mbajmë në hapësirat tona. Ajo që na pengon është mungesa e pajisjeve teknike për audio dhe video incizime”, thonë nga Antikorrupsioni.
Sipas ish anëtarit të Komisionit për Parandalim të Korrupsionit, Goran Tërpenosi, është në duar të vet Antikorrupsionit që të gjejë projekt dhe pajisje për incizim me video dhe audio. Mund të ndihmojë edhe shteti në këtë aspekt, thotë ai.
“Kushte ka, por varet nga ata që të gjejnë projekt apo të gjejnë pajisje që seancat të ndiqen me pajisje audio apo video. Mendoj se ka ndoshta edhe frikë nga kamera dhe më lehtë iu vjen me Zoom. Mund të vendosësh çfarë të duash në prapavijë por prapë se prapë mendoj se duhet edhe shteti t’u jep pajisje që të mund të kenë seanca të drejt për drejta, të ketë gazetarë për t’i ndjekur dhe të incizojë. Kështu do të rritet edhe transparenca edhe besimi në punën e tyre”, u shpreh Goran Tërpenoski – Ish anëtar i Antikorrupsionit.
Me seancat publike në platformën ZOOM për momentin udhëheqë zv.kryetarja e Antikorrupsionit, Cveta Ristovska. Zv.kryetari i Antikorrupsionit ndryshohet në çdo gjashtë muaj nga radhët e anëtarëve, ndërsa radhitja bëhet sipas alfabetit. Antikorrupsioni për momentin është pa kryetar pas largimit të Tatjana Dimitrovskës për shkak përfshirjes në hetimet për rastin Aditivët. Të premten komisioni kuvendor për zgjedhje dhe emërime propozoi kandidatin Adem Çuçul për kryetar të ri të Antikorrupsionit./Alsat.mk

