Qeveria miraton marrëveshjet për programet IPA 2021, 2022 dhe 2026-2027, Kurti tregon vlerën e fondeve

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 30 shtator, Zhurnal.mk – Qeveria e Kosovës ka miratuar në mbledhjen e saj projektligjet për ratifikimin e marrëveshjeve financiare me Bashkimin Evropian për programet IPA 2021, IPA 2022 dhe Programin Shumëvjeçar IPA 2026-2027, raporton Ekonomia Online.

Në kuadër të pikave të miratuara është edhe Projektligji për ratifikimin e Amendamentit Nr. 1 të Marrëveshjes Financiare mes Kosovës dhe BE-së për “Programin IPA 2021”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se amendamenti krijon kushte më të përshtatshme për realizimin e projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian dhe mundëson vazhdimin e procedurave për kontraktimin dhe shfrytëzimin e 22.2 milionë eurove.

“Amandamenti i marrëveshjes financiare për programin IPA 2021 krijon kushte më të përshtatshme për realizimin e projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian. Zgjatja e periudhës së zbatimit e mundëson vijimin e procedurave për kontraktimin dhe shfrytëzimin e fondeve në vlerë prej 22.2 milionë eurosh. Me ratifikimin e këtij amandamenti krijojmë bazën e nevojshme që kjo mbështetje financiare të shfrytëzohet për qëllimet e përcaktuara dhe të sjellë përfitime konkrete për qytetarët”, tha Kurti.

Në mbledhje u miratua edhe Projektligji për ratifikimin e Amendamentit Nr. 1 të Marrëveshjes Financiare mes Kosovës dhe BE-së për “Programin IPA 2022”.

Sipas Kurtit, me këtë amendament krijohen kushtet për kontraktimin dhe shfrytëzimin e 55.7 milionë eurove të mbështetjes financiare nga Bashkimi Evropian.

“Me amandamentin për programin IPA 2022 krijojmë kushtet për kontraktimin dhe shfrytëzimin e fondeve në vlerë prej 55.7 milionë eurosh të mbështetjes së Bashkimit Evropian. Zgjatja e afateve u mundëson institucioneve të përmbushin procedurat e nevojshme dhe të vijojnë me realizimin e projekteve të planifikuara, me synim që të njëjtat të shfrytëzohen plotësisht dhe të kthehen në investime që u shërbejnë nevojave të vendit dhe qytetarëve”, tha Kurti.

Po ashtu, Qeveria miratoi Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare mes Kosovës dhe BE-së për Programin Shumëvjeçar IPA 2026-2027.

Kurti bëri të ditur se ky program parasheh mbështetje për projekte në vlerë të përgjithshme prej 193 milionë e 856 mijë eurosh.

“Programi shumëvjeçar IPA 2026-2027 mbështet realizimin e projekteve në vlerë të përgjithshme prej 193 milionë e 856 mijë eurosh. Kjo paketë përfshin rreth 180.5 milionë euro nga Bashkimi Evropian, 9 milionë euro bashkëfinancim nga qeveria, 1.8 milion euro nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe 2.5 milionë euro nga partnerët e tjerë zhvillimorë. Ratifikimi i marrëveshjes financiare i hap rrugë fillimit të zbatimit të programit. Institucionet përgjegjëse duhet të përqendrohen në përgatitjen dhe realizimin e projekteve që ky financim të shfrytëzohet plotësisht sipas prioriteteve të përcaktuara”, tha Kurti.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër