Prishtinë, 5 gusht, Zhurnal.mk – Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit stafi mjekësor ka trajtuar gjithsej 337 pacientë, duke ofruar shërbime në disa njësi të emergjencës.
Sipas të dhënave, në repartin e Reanimimit janë trajtuar 77 raste, në Emergjencën Internistike 94 raste, në Emergjencën Ortopedike 76 raste, ndërsa në Emergjencën Kirurgjike janë trajtuar 56 pacientë. Po ashtu, në Sallën e Vogël janë kryer 34 shërbime.
Sa i përket natyrës së rasteve të evidentuara, gjatë kësaj periudhe është regjistruar një rast i lëndimit me armë zjarri, një rast i intoksikimit dhe 14 raste të personave të lënduar në aksidente komunikacioni.
QKUK bën të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë realizuar edhe 27 pranime për trajtim të mëtejmë në klinikat përkatëse. Ndërkohë, gjatë së njëjtës periudhë janë regjistruar katër raste të vdekjeve.
