Tiranë, 17 nëntor, Zhurnal.mk – Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka shtuar kapacitetet për ndërhyrjet kirurgjikale me hapjen e sallës së tetë të Kirurgjisë së Përgjithshme dhe Digjestive, e dedikuar për kirurgjinë ditore, ku pacientët kanë nevojë për hospitalizim deri në 24 orë.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, bëri të ditur se salla e re është pajisur me aparatura moderne dhe do të mundësojë kryerjen e ndërhyrjeve të specialiteteve të ndryshme, përfshirë urologjinë dhe kirurgjinë e përgjithshme.
Ndërsa, Dr. Shk. Enton Bollano, kirurg në QSUNT shprehet se pas operacionit, pacientët do të qëndrojnë në pavijonin e kirurgjisë ditore, i vendosur në katin e dytë të strukturës.
“Në këtë sallë bëhen operacione të cilat qëndrojnë në spital minimalisht dhe maksimalisht 24 orë. Janë operacione të gamave të ndryshme, duke filluar që nga urologjia, kirurgjia e përgjithshme. Sipër në kat të dytë është pavioni i kirurgjisë ditore, ku pacientët pasi operohen shtrohen atje. Kjo sallë është investim goxha i vlefshëm dhe shumë i dobishëm për pacientët pasi ul kohëzgjatjen e pritjes së pacientëve për t’u operuar. Këtu llogaritet, domethënë, të bëhen gjashtë deri në 7 operacione në ditë”, tha Bollano.
Hapja e kësaj salle, synon të shkurtojë kohën e pritjes për ndërhyrje kirurgjikale, të rrisë mundësitë e trajtimit të pacientëve dhe të përmirësojë shfrytëzimin e kapaciteteve spitalore, duke lehtësuar njëkohësisht fluksin në repartet e kirurgjisë.

